Presidenca çeke do të informojë Këshillin për marrjen e aplikacionit në takimin e ardhshëm të ambasadorëve të BE-së më 20 dhjetor në Bruksel.
“Ne vlerësojmë se vendimi për hapin e ardhshëm drejt perspektivës së Kosovës në BE po merret nga Qeveria e Kosovës gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, pasi rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet e Presidencës”.
“Presidenca do të angazhohet menjëherë në konsultime me shtetet e tjera anëtare të BE-së”, ka thënë në një përgjigje për RTV Dukagjinin, Marek Zeman, shef i departamentit të marrëdhënieve me publikun të Ministrisë për Çështjet Evropiane të Çekisë.
Kosova ka nënshkruar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mërkurën e 14 dhjetorit.
Aplikimi u nënshkrua nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministri Albin Kurti.
Në përgjigje tutje thuhet se Presidenca çeke do të informojë Këshillin për marrjen e aplikacionit në takimin e ardhshëm të ambasadorëve të BE-së më 20 dhjetor në Bruksel.
“Pas një vendimi nga Këshilli, Komisioni mund të të kërkohet të përgatisë opinionin e saj për aplikimin e Kosovës”.
Ndryshe, lidhur me këtë, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, nga zyra e BE-së, është thënë se BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.
Sipas tyre, kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së.
“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për aplikim janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së”, thuhet në përgjigje.