Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, ka thënë se, zgjerimi është thelbësor për Bashkimin Evropian dhe se BE-ja duhet t’i qëndrojë besnike këtij thelbi të saj.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media ku është shtuar se, i pari i qeverisë ka thënë edhe se Kosova është histori e dyfishtë e suksesit, e ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit, por edhe për të pasur rritje ekonomike së bashku me demokraci cilësore.
“Zgjerimi është thelbësor për BE-në. BE-ja duhet t’i qëndrojë besnike këtij thelbi të saj. Zgjerimi i jashtëm duhet të shkojë paralelisht me konsolidimin e brendshëm. Njëra nuk duhet të përjashtojë tjetrën. Unë besoj se Bashkimi Evropian në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë i rritur në shtëpi, por jo i bërë vetë. Jo e bërë vetë sepse kemi nevojë për ndihmë nga jashtë, por jemi ne që duhet ta ndërtojmë BE-në nga vetja për veten tonë. Kosova është histori e dyfishtë e suksesit, e ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit, por edhe për të pasur rritje ekonomike së bashku me demokraci cilësore”, ka thënë ndër tjerash Kurti.
Komunikata e plotë:
Fjala e Kryeministrit Kurti në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë
Vjenë, 8 dhjetor 2022
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Liderëve të Socialistëve dhe Demokratëve të Ballkanit Perëndimor, me temën “Zgjerimi i Ballkanit Perëndimor TANI! Për një shoqëri sociale, demokratike, paqësore”:
Është nder dhe kënaqësi e madhe të jem këtu sot me të gjithë ju.
Sigurisht që mirëpres nismën e Samitit BE/Ballkani Perëndimor në Tiranë, i pari jashtë BE-së që nga samiti i vitit 2000, kur u zhvillua në Zagreb.
Unë vlerësoj që samiti BE/Ballkani Perëndimor ka forcuar thirrjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
Përveç kësaj, ajo për të cilën jemi shumë optimistë është Procesi i Berlinit, i cili u rinovua me kancelarin Olaf Scholz. Më 3 nëntor në Berlin ne kemi nënshkruar marrëveshje, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tani presim ratifikimin e këtyre marrëveshjeve në secilin nga parlamentet tona. Tre marrëveshjet janë: një për të udhëtuar vetëm me karta identiteti përtej të gjithë kufijve mes nesh, pastaj njohja e arsimit të lartë dhe po ashtu kualifikimeve profesionale.
Përveç Procesit të Berlinit, unë besoj se duhet të mendojmë jashtë koordinatave të situatës aktuale për rrugën përpara. Është e rëndësishme që të ketë një baticë në Ballkanin Perëndimor, e cila do të ngrejë të gjitha varkat në të njëjtën kohë. Diçka si EEA, EFTA EEA. Ne e dimë se vendet si Austria dhe Portugalia fillimisht ishin pjesë e EEA-së dhe më pas u bashkuan me BE-në. Këtë mund ta quajmë SEFTA – Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Juglindore, ose treg i përbashkët rajonal, siç është në Procesin e Berlinit, duke u avancuar më tej. Sepse ne kemi nevojë dhe proces të përshpejtuar për anëtarësim në BE. Deri më tani kemi folur për perspektivën e BE-së, për integrimin në BE, por ne kemi nevojë për anëtarësim në BE. Perspektiva evropiane si fjalë më nuk mjafton. Dhe për këtë qëllim, ne duhet të kemi disa etapa dhe disa afate kohore. Është e vështirë të mobilizosh njerëzit dhe të mbash optimizmin dhe entuziazmin për BE-në, e që është shumë e rëndësishme, për aq kohë sa nuk kemi afate kohore. Qoftë ai 2023, me sekuenca të tjera të ndara që thonë 2024, 2026, çfarë do të arrijmë, në cilin vit, në mënyrë që të kemi të gjithë Ballkanin Perëndimor në bord për të lëvizur drejt BE-së dhe anëtarësimit në BE sa më shpejt që të jetë e mundur.
Unë besoj se tani shtytësi kryesor i interesit të ripërtërirë të institucioneve evropiane dhe të shteteve anëtare për zgjerim është gjeopolitika, nga këto ngjarje fatkeqe me agresionin dhe pushtimin rus në Ukrainë, me përfshirjen e fuqive të treta, duke minuar kështu sigurinë e BE-së, se sa me të vërtetë, mendimi politik i interesave të përbashkëta për t’u bashkuar në BE.
Fatkeqësisht, kishte nevojë për luftë ruse në Ukrainë për të shtuar urgjencën për t’iu përgjigjur pritshmërive të Ballkanit Perëndimor dhe angazhimit të BE-së.
Është shumë e rëndësishme që socialistët dhe demokratët të marrin drejtimin në integrimin e rajonit tonë. Narrativa për Ballkanin Perëndimor nuk mund të udhëhiqet nga forcat e ekstremit të djathtë. Nga ata që mendojnë se zhvillimi ekonomik nuk ka nevojë për demokraci cilësore dhe pastaj përsëri, demokracia nuk ka nevojë për të drejtat e njeriut dhe pluralizmin politik. Ne e dimë shumë mirë se e vërteta është pikërisht e kundërta.
Ne duhet të kemi të drejta të njeriut dhe pluralizëm politik për një demokraci cilësore, e cila është e vetmja mënyrë për ta bërë zhvillimin ekonomik të drejtë dhe të qëndrueshëm.
Thënë këtë, jam i lumtur të njoftoj se si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje i kemi dërguar Partisë Socialiste Evropiane kërkesën për t’u bërë anëtar i asocuar.
Gjithashtu dua të ju informoj se këtë muaj, para Krishtlindjeve, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE, dhe ne llogarisim në mbështetjen dhe deklaratën e S&D për të mirëpritur atë hap të rëndësishëm.
Qeveria ime dhe të gjitha politikat tona janë plotësisht në përputhje me vizionin progresiv të socialistëve dhe demokratëve.
Gjithashtu në lidhje me zgjerimin e di që socialistët dhe demokratët e shohin atë si një proces të “zgjerimit të demokracisë, paqes dhe prosperitetit”.
Zgjerimi është thelbësor për BE-në. BE-ja duhet t’i qëndrojë besnike këtij thelbi të saj. Zgjerimi i jashtëm duhet të shkojë paralelisht me konsolidimin e brendshëm. Njëra nuk duhet të përjashtojë tjetrën. Unë besoj se Bashkimi Evropian në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë i rritur në shtëpi, por jo i bërë vetë. Jo e bërë vetë sepse kemi nevojë për ndihmë nga jashtë, por jemi ne që duhet ta ndërtojmë BE-në nga vetja për veten tonë. Dhe BE-ja jo si interes, aq sa si vlerë. Sepse bashkë me vlerat do të vijë edhe interesi. Ne jetojmë në kohë kur vlerat dhe interesat duhet të jenë të lidhura ngushtë.
Sfidat e reja gjeopolitike e kanë rritur domosdoshmërinë për t’u përafruar me Politikën e Përbashkët të Sigurisë së Jashtme, të cilën Kosova po e bën pavarësisht fazës së hershme të procesit integrues. Dhe në këtë kuptim, ne duhet të refuzojmë neutralitetin kur bëhet fjalë për agresionin rus në Ukrainë. Neutraliteti është cinizëm. Ata që janë neutralë janë cinikë. Sepse neutraliteti nënkupton një distancim të caktuar nga situata si çështje për të cilën po flisni. Dhe kam frikë se disa nga vendet që pretendojnë të jenë neutrale, padyshim që neutraliteti i tyre është fals. Por nga ana tjetër, neutraliteti i perëndimit demokratik ndaj atij neutraliteti, nuk është i drejtë. Duhet të heqim dorë nga të qenit neutral ndaj atyre që pretendojnë të jenë neutralë. Dhe kjo do të forcojë solidaritetin tonë, por gjithashtu do të ndihmojë popullin ukrainas të arrijë çlirimin e tyre nga lufta e tyre, sa më shpejt.
Kosova është histori e dyfishtë e suksesit, e ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit, por edhe për të pasur rritje ekonomike së bashku me demokraci cilësore. Për shembull, vitin e kaluar ne u përmirësuam për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, dhe më pas më 17 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror, Reporterët Pa Kufij, lirinë e medias. Dhe për herë të dytë ne dalim të parët nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor sa i përket sundimit të ligjit sipas World Justice Project. Mes 14 vendeve në Evropën Lindore që ende nuk janë pjesë e BE-së, ne jemi numri dy pas Gjeorgjisë. Pra, demokracia cilësore, të drejtat e njeriut, pluralizmi politik, qeverisja e mirë, shkojnë së bashku me rritjen ekonomike. Vitin e kaluar kemi pasur rritje ekonomike prej 10.7% të BPV-së. Këtë vit do të jetë të paktën 4% pas zbritjes së inflacionit.
Pra, ne jemi shumë optimistë për të ardhmen dhe kemi nevojë për ndihmën e BE-së për të zgjeruar Ballkanin Perëndimor, jo vetëm sepse përfitojmë, por edhe se duam të kontribuojmë.