Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka arritur në QKUK pas shpërthimit që ndodhi në veturën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.
Ndërkohë, shefi i kabinetit të ministrit Vitia, Egzon Azemi, ka thënë se ka komunikuar menjëherë me Hajdarin pas ngjarjes.
Ushtuesi i detyrës të drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari ka reaguar pasi dyshohet se ndodhi një shpërthim në veturën e tij.
Ai tha se “nuk ka obligime ndaj askujt”, teksa theksoi se nuk “dëshiron t’i prishë hetimet”.
“Nuk kam kurrëfarë obligimi ndaj askujt kam ardhë në punë si çdo ditë. Për çdo gjë referojuni komunikatës, sepse çdo gjë që them mos po i prishi hetimet” – ka thënë ai.
Për Gazetë Enigma, Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar se nuk ka të lënduar nga ky rast dhe se hetimet po vazhdojnë.
“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale. Policia me të gjitha njësitë relevante ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen” – tha ajo.