Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, nuk është paraqitur në debatin televiziv për zgjedhjet lokale në televizionin Kanal 10.
Autori i emisionit “Politiko” në fillim të emisionit tha se kandidati i LDK-së e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në debatin që po transmetohet aktualisht, por nuk është paraqitur më pas në studio.
“E ka pasur të konfirmuar ardhjen Arbër Ismaili, kandidati për kryetar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por ai nuk ka ardhur në debat pavarësisht konfirmimit të tij të mëhershëm. Gjithsesi kërriga ka qenë dhe është e rezervuar për të, nëse na bashkëngjitet eventualisht do ta ketë mundësi ta merr karrigen, nëse jo, vijojmë më tutje”, ka thënë Kushtrim Sadiku.
Debati me kandidatët për kryetar të komunës të Gjilanit që është duke u transmetuar prej orës 20:00 në Kanal10 është xhiruar paradite. Ndërkohë, në të njëjtën kohë kur po xhirohej debati, në rrjete sociale qarkulloi një fotografi e Ismajlit duke pirë kafe në Gjilan, i shoqëruar nga disa persona tjerë.
Në debatin televiziv sonte janë prezent të gjithë kandidatët e tjerë të partive politike që garojnë për kryetar të Gjilanit: Alban Hyseni, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje; Isa Agushi kandidat nga Bashkimi për Ndryshim; Nazim Gagica kandidat nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; dhe Riad Rashiti kandidat nga Partia Demokratike e Kosovës.