Janë dy lojtarë që e nisën karrierën te 2 Korriku e të cilët do të mundohen që porta e Shqipërisë të mbetet e paprekur në Kampionatin Evropian 2024.
I pari, portieri Etrit Berisha, do të jetë më afër shtatë-metërshit, ndërkaq i dyti, Ardian Ismajli, do të jetë njëri prej dy barrierave në qendër të mbrojtjes.
Ismajli, 27-vjeçar, e kishte nisur karrierën te 2 Korriku i Prishtinës, ashtu sikur Berisha që është tetë vjet më i vjetër.
Më 2016, si 20-vjeçar qe shpërngulur në Kroaci te Hajduku i Splitit ku edhe ra në sy të Spezias, klubit që atë kohë luante në Serie A, dhe të cilët e transferuan podujevasin më 2020.
Aty qëndroi për një vit dhe bindi një klub më me nam Italian, Empolin, që ta marrë në radhët e veta, e ku luan edhe sot, pikërisht me Etrit Berishën i cili muajve të fundit e ka humbur pozitën e titullarit.
Klubi i tij e siguroi mbijetesën në xhiron e fundit të stinorit, por kjo nuk e bën më pak të vlefshme performancën e tij individuale sivjet. Sipas faqes Sofascore, dy mbrojtësit të cilët nuk janë dribluar asnjëherë për sezonin 2023/20224 në pesë ligat më të forta në botë janë pikërisht Ismajli dhe titani i Liverpoolit, Virgil van Dijk.
Për sa i përket kombëtares shqiptare, Ismajli ishte ndër figurat më të rëndësishme që e çuan Shqipërinë në Gjermani për EURO 2024.
Ai me këtë kombëtare e nisi më 2015, për grup-moshat u-21, dhe pas pranimit të Kosovës nga FIFA kaloi tek Dardanët, për të cilën kombëtare edhe debutoi më 2018.
Por po këtë vit, më 2018, Ismajli u kthye sërish tek Kuq e Zinjtë. “Ne jemi një komb, shpresoj që së shpejti të bashkohemi në një shtet, por kemi ekipe të ndryshme. Shqipëria është më e mirë dhe më ofron mua më shumë mundësi për t’u promovuar”, kishte thënë Ismajli për mediumin 24sata.hr atë vit.
Ashtu edhe ndodhi. Ismajlit i doli mirë ky ndërrim për sa i përket karrierës së tij si futbollist. Është 2024-ta dhe ai tash po luan në një klub në Seria A, dhe me kombëtare në Evropian.