Arianit Besiri është betuar si kryetar i një komunës Morbach në Gjermani, ku detyrën e tij e fillon zyrtarisht me 1 mars, raporton Gazeta “Enigma”.
Besiri shkoi në Gjermani si fëmijë me prindër refugjatë, por tani Arianit Besiri ka bërë historinë: është bërë kryetari i parë shqiptar i një komune në këtë shtet.
Me mbi 60% të votave të fituara, zyrtarizimi i tij në drejtimin e komunës së Morbachut, me mbi 10 mijë banorë, është bërë në fund të muajit që lamë pas.
Në një prononcim për media ai kishte deklaruar se “rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ne jetojmë në një shoqëri që vlerëson performancën, ku suksesi lidhet me një integrim të mirë. Narrativa pas kësaj thotë: Kush punon shumë, del nga vështirësitë. Fatkeqësisht, kjo nuk është realiteti”.
“Shumë njerëz punojnë shumë, por nuk ia dalin dot vetëm me forcat e tyre. Këtu duhet bërë akoma shumë përmirësime. Njerëzit me histori migrimi, mesatarisht, marrin paga më të ulëta se vendasit dhe ky është një problem socio-ekonomik. Unë besoj se njeriu mund të ndikojë në ato gjëra që ka në dorë vetë. Duhet t’i qëndrojmë kësaj ideje, dhe kjo fillon që në mëngjes, kur ngrihemi dhe rregullojmë shtratin tonë”, ka thënë Besiri.