Ish ambasadori Avni Arifi, ka thënë se si njerëzit që e quanin të ligjshme aferën Pronto, tani po e quajnë të paligjshme aferën e incizimit të Mimoza Kusarit me Simiq.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se po duket se po zhvillohet trendi që ligji konsiderohet i shkelur vetëm në varësi se kush e shkel atë dhe akti kriminal apo terrorist është i tillë vetëm atëherë kur të konstatohet kush është kryerësi.
Postimi i tij i plotë:
Bash më intereson ta dijë për këta njerëz që aferën e incizimit Mimoza-Simiq po e quajnë të paligjshme me çfarë kriteresh aferën Pronto e quanin të ligjshme dhe kohe te gjate e kane perdorur??!!. Në aferën Pronto siç dihet është përgjuar hiq ma pak se Kryeministri i kohës
Qysh e shohin këta njerëz drejtësinë? Drejtësi bazuar në ligje të Kosovës apo drejtësi në imagjinatën e tyre ideologjike dhe superioriteti të caktuar politik, ideologjike e disa tjera që spo i përmendi të dikujt mbi të tjerët??
A është duke u zhvilluar një trend ku ligji konsiderohet i shkelur vetëm në varësi se kush e shkel atë dhe akti kriminal apo terrorist është i tillë vetëm atëherë kur të konstatohet kush është kryerësi. Drejtësia që po duket se këta njerëz duan të ndërtojnë në Kosovën e sotshme, vendet demokratike i kanë në librat e historisë së tyre të errët.