Ish-ambasadori Avni Arifi ka komentuar listat e partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke thënë se këtë vit nuk pati ndonjë befasi të madhe.
Në emisionin “Kiks Kosova”, Arifi u shfaq veçanërisht kritik ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pasi, sipas tij, partia në pushtet ka rikthyer në skenë figura me aktakuza, gjë që e sheh si hap pas për standardet politike.
Ndër të tjera, Arifi vlerësoi pozitivisht lëvizjet e partive të tjera. Sipas tij, PDK-ja me rikthimin e Bedri Hamzës ka marrë një përforcim të rëndësishëm, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë elektoral.
Edhe listat e LDK-së i konsideroi hap pozitiv. Arifi tha se kjo parti ka sjellë figura meritore, të cilat, sipas tij, mund të rikthejnë një frymë më të pastër rugoviane brenda partisë.
Ish-diplomati theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas vlerësimit të tij, ka listën më të pasuruar. Ai tha se AAK-ja është fokusuar te profesionistë me karrierë të spikatur, të cilët njëkohësisht kanë potencial të sjellin vota.
