Kreu i Komunës së Preshevës gjatë qëndrimit në Uashington e ka ngritur edhe një herë cështjen e fshirjes së adresave nga ana e shtetit serb ndaj shqiptarëve atje.
Sipas tij, deri tash Serbia ka pasivizuar 10 mijë adresa. Ai ka thënë se gjatë takimit me emisarin amerikan Gabriel Escobar ka kërkuar që kjo të stopohet.
“Pikë së pari është e dyta herë që jam në Amerikë, edhe të parën herë kur kam qenë në vitin 2020 pak para pandemisë ka qenë interesante sepse Departamenti i Shtetit nuk ka qenë aq i informuar rreth pasivizimit. Nga ai moment e tutje, këto tri vite ka lëvizur shumëçka në lidhje me pasivizimin në aspektin e përgatitjes të njohjes së fenomenit të pasivizimit, i cili nënkupton që shqiptarët në Luginë të Preshevës në mënyrë selektive, pra vetëm shqiptarët dhe jo serbët, pasivizohen, pra suspendohen nga adresa e tyre që e kanë pasur gjithmonë. Nga ai moment ata privohen edhe nga mundësia për të qenë shtetas në vazhdimësi në atë vend dhe u rrezikohen edhe pronat edhe shërbimet civile, por edhe identiteti i tyre në atë vend”, ka thënë Arifi për Zërin e Amerikës.
“Nga viti 2020 e këndej janë hartuar disa dokumente, së pari njëherë në raportin e Departamentit të Shtetit nga viti 2021 e kemi fenomenin e pasivizimit të adresave të përmendur, nga viti 2022 e kemi edhe në raportin për të drejtat e njeriut fenomenin e pasivizimit të përmendur. Në Bashkimin Evropian vitin e kaluar kemi arritur të bëjmë një rezolutë e cila e dënon ashpër pasivizimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës por edhe i kërkon Serbisë që të sqarojë se përse bëhet kjo ndaj shqiptarëve posaçërisht. Kështu që shumëçka ka lëvizur por rezultatet në terren janë ende zero sepse ne për momentin i kemi dhjetë mijë shqiptarë tashmë të pasivizuar dhe ky fenomen nuk do të ndalet dot nga Serbia sepse ju duhet ta kuptoni kudo që ka shqiptarë ne jemi peng dhe viktimë e dialogut. Pra një dialog i cili shkon në disfavor të Kosovës, shkon shumë në dëm të Luginës së Preshevës. Një dialog i cili shkon në favor të Kosovës do të shkonte edhe në favor të Luginës së Preshevës. Në momentin që po shkon në disfavor të Kosovës dialogu edhe ne po dëmtohemi në vazhdimësi. Kështu që pasivizimi është një çështje që unë i kërkova edhe të dërguarit amerikan (Gabriel) Escobar-it që të stopohet më, të bëhet një moratorium i këtij fenomeni në Serbi ndaj shqiptarëve dhe tash presim se çfarë do të ndodhë”, ka shtuar ai.