Qeveria e Kosovës javën e kaluar shpalli dy formacionet ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” si organizata terroriste.
Por, ky vendim i Qeverisë Kurti po vlerësohet si i gabuar nga politologu, Dritëro Arifi.
“Me shpalljen e dy organizatave terroriste është bërë nja gabim fundamental dhe amatoresk, si në aspektin politik, diplomatik, por edhe të sigurisë. Ne s’po e kuptojmë që ne e kemi dëmtuar aspektin e sigurisë jo vetëm në Kosovës, por edhe jashtë Kosovës. Prandaj edhe këshillat e partnerëve tanë janë pak më të ashpra kësaj radhe për ne sepse ne nuk kemi punuar me çështjet politike, por kemi shkuar me çështjet policore”, theksoi Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Më tej ai tha se vendimin për shpalljen e dy organizatave si terroriste ose do të tërhiqet ose s’do të zbatohet.
“Po e themi shkurt e shqip, Qeveria ka gënjyer kur ka thënë që ka pasur koordinim (me ndërkombëtarët), s’ka pasur… Qeveria është demantuar keq… Tash po e shpjegoj pse është gabim. Ato organizata kush i financon? Kush ua mban atyre logjistikën? Serbia. E si mund të shkosh në dialog me Serbinë, një shtet që e financon terrorizmin. Kjo është absurde. Ne po shkojmë në absurditet. Domethënë dialogu e humb kuptimin. Ose do e kthejnë vendimin mbrapsht, ose s’do të bëjnë asgjë hiq”, deklaroi Arifi.
Më tej, Arifi vlerësoi që janë vetëm dy opsione për shtensionim të situatës në veri.
“Tani për momentin janë dy opsione në veri, ose duhet të bëjnë politike të mençur duke e zgjedhur problemin me dialog, ose me dhunë. E Kosova s’po e bën as të parën e as të dytën”, shtoi tutje Arifi.
Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, në territorin e Kosovës kanë operuar struktura ilegale të mbështetura dhe të financuara nga shteti i Serbisë.
Formalisht, “Mbrojtja Civile” është shuar me Marrëveshjen e Brukselit të 26 marsit 2015, nëpërmjet të cilës parashihej sistemimi i 483 pjesëtarëve të kësaj organizate në institucionet qendrore të shtetit.
Por, përkundër marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e BE-së, strukturat ilegale serbe kanë vazhduar të operojnë në Kosovë, veçmas në veri të vendit.