Arlind Shala është një nga emrat më të njohur tek trajnerët e fitnesit fizik në vendin tonë.
Puna, përkushtimi dhe profesionalizimi i tij kanë ndikuar që brenda një kohe të shkurtër të jetë në mesin e trajnerëve më të kërkuar në këtë drejtim.
Ka tre vite që ka filluar të punojë dhe brenda kësaj kohe ka bërë për vete emra të njohur të futbollit tonë, duke qenë tashmë një ‘adresë’ e të gjithë atyre që duan të kenë formën më të mirë fizike.
Në saje të punës se tij intenzive me metodat më të reja të stërvitjëve ka arritur që të rikthej në formën maksimale shumë sportistë, në veçanti futbollistët aty ku është edhe i fokusuar, tek të cilët është vërejtur një energji e re dhe përgatije e duhur për garat e tyre respektive ku marrin pjesë.
Shala ka treguar detajet e punës së tij në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, që nga fillet e tij me këtë profesion, deri tek rezultatet e arritura me futbollistët.
Jeni trajneri më i ri që ke hapur një fitnes kushtuar vetëm futbollistëve, sa i vështirë ka qenë fillimi për ty?
Sigurisht që fillimet janë shumë të vështira, aq më tepër kur kishim të bëjmë me një gjë e cila ishte e paprovuar në qytetin e Vushtrrisë, por me kalimin e kohës futbollistët e kuptuan rëndësinë dhe nevojën e saj.
Çfarë është përgatitja fizike dhe sa e rëndësishme është ajo në sportin e futbollit.
Përgatitja fizike është tërësia e organizuar dhe hierarkike e procedurave stërvitore që synojnë zhvillimin dhe përdorimin e cilësive fizike të sportistit respektivisht futbollistit. Rëndësia është jashtëzakonisht e madhe pasi të gjitha elementet teknike që posedon një futbollist e ka të pamundur të i vë në dispozicion nëse nuk gëzon kondicion apo përgatitje të lartë fizike.
Në çfarë moshe preferohet të fillohet me këtë lloj trajnimi?
Preferohet të fillohet në moshën 9-10 vjeç me disa stërvitje bazë dhe jo me ngarkesa në mënyrë që futbollisti të mësohet me stërvitje të kësaj natyre, më pas me rritjen e moshës, rritet edhe intensiteti i stërvitjes.
Çfarë duhet të ketë parasysh një futbollist për të qenë në formë të mirë fizike?
Janë 4 elementë kryesorë të cilët janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Gjumi i rehatshëm dhe adekuat, pushim pas dhe para çdo seance stërvitore, ushqim i shëndetshëm dhe ushtrime adekuate bazuar në gjendjen e tij fizike.
A stërviten mjaftueshëm dhe sa të disiplinuar janë futbollistët kosovarë?
Krahasuar me vitet e kaluara, dëshira e çdo futbollisti për punë është rritur pasi tregu i futbollistëve është zgjeruar shumë dhe e vetmja mënyrë që një futbollist të arrijë majat është të punojë shumë dhe të jetë 100% i disiplinuar në ato 4 elementë që përmenda më parë.
Sa jeni të lumtur me sukseset e arritura nga sportisët me të cilët keni punuar?
Absolutisht që jam shumë i lumtur kur sportistët, në veçanti futbollistët kanë suksese të mëdha pas punës së përbashkët. Jam maksimalisht i fokusuar në punën që e bëjmë, por që ndjehem shumë, shumë mirë kur këto punë përkthehen në rezultate.
Cili është mesazhi i juaj për futbollistët dhe pse duhet të punojnë me një trajner si ju?
Dëshira ime është që çdo futbollist të jetë në formën më të mirë fizike, vetëm atëherë mund të tregojnë vlerat e tyre. Metodat e reja me të cilat unë punoj po ofrojnë rezultatet e tyre, sepse tashmë duhet cekur që metodologjia e punës po ndryshon nga dita në ditë. I inkurajoj të gjithë futbollistët që të punojnë në këtë drejtim, natyrisht se unë jam gati për sfida të ndryshme.