Këshilltarja Lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas aksionit të Policisë sot në veri të vendit, ku u kapën një sasi e madhe e armëve, municionit, mjeteve shpërthyese e pajisjeve tjera ushtarake.
Përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], Schneeberger ka thënë se kjo tregon që rreziku pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, nuk ka përfunduar ende.
“Shpresoj që tani secili e kupton se sa eskalues i rrezikshëm është Vuçiqi dhe Serbia”, shkroi ajo.
Schneeberger po ashtu ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare t’i vendosen masa Serbisë.
“Sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë dhe duhet të merren masa ndaj Vuçiq, që janë aq të dhimbshme për të, në mënyrë që ai t’i ndalë eskalimet dhe të punojë serizosht për zgjidhjen e konfliktit”, shkroi ajo.
Më tej zyrtarja evropiane ka thënë se pas luftës në Ukrainë, Nagorno Karabakh dhe Izrael, botës nuk i nevojitet një terror tjetër, duke shtuar që ndaj Vuçiqit nuk duhet sjellë butë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se kontrollet janë kryer në lokacione të ndryshme, katër në Mitrovicën e Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.
Gjatë këtyre kontrolleve, në një bodrum të njërit nga tre soliterët në Mitrovicën e Veriut, janë gjetur një sasi municioni, kallashnikovë, zola, eksploziv etj.
Pjesëmarrës në këto kontrolle ishin edhe zyrtarë nga EULEX-i, kurse te tre rrokaqiejt prezent kanë qenë edhe EOD -KFOR-i, po ashtu EOD e Policisë së Kosovës është në vend të ngjarjes.
Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara:
- 87 copë eksploziv të tipit TM 100
- 3 granata hedhës dore (zola)
- 1 armë automatike AK-47
- 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD
- 14 karikatorë
- Municion të kalibrave të ndryshëm
- 63 detonatorë elektrik
- 23 detonatorë mekanik
- 1 orë për aktivizim
- 1 granatë dore M79
- 3 tuba fitila ndezës
- Çanta, radiolidhje, antiplumba, pajisje medicionale, gyksore (jelek për bartje të karikatorëve), maskë kundër gazit, bateri etj.
Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se armatimi i zbuluar sot, qartëson për Kosovën dhe opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.