Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, ka zhvilluar një operacion kontrolli ndaj një automjeti në pikëkalimin kufitar Qafë Prush, në dalje drejt Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të detajuar është konstatuar prania e një arme zjarri pa numër serik, e fshehur në pjesën e brendshme të automjetit. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar municion i kalibrave të ndryshëm -rreth 120 copë, si dhe një shumë parash në valutën euro.
Rasti i është dorëzuar Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar për vazhdimin e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve të mëtejme procedurale, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
