Armend Thaqi: Gjithë ajo lodhje, në fund ia vlejti

Armend Thaqi: Gjithë ajo lodhje, në fund ia vlejti

Skuadra e Ballkanit mbrëmë arriti suksesin të cilin deri më tani nuk e kishte arritur asnjë ekip kosovar, pjesëmarrjen në ‘play-off’ të një gare europiane. Në fazën e tretë të Conference League suharekasit eliminuan Klaksvik pas ekzekutimit të penalltive (rezultati i përgjithshëm 5-5). Rreth kësaj ngjarje të paharrueshme për futbollin kosovar foli mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi.

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi është një ndër lojtarët kyç në skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja. Angazhimi i tij në fushë si në fazën e sulmit ashtu edhe në të mbrojtjes është i mahnitshëm. Këtë e ka vërtetuar në Superligën e Kosovës, por e ‘vulosi’ në ndeshjet në Europë.

‘Gjithë ai mund e gjithë ajo lodhje ia ka vlejtur për këtë’, ishin fjalët e tij kur u pyet nga Gazeta Metro se si është kjo ndjenjë për të dhe për të gjithë bashkëlojtarët e tij.

”Është fantastike që kemi arritur në play-off dhe jemi ekipi i parë ne sepse mendoj që e kemi merituar plotësisht. Gjithë ai mund e gjithë ajo lodhje ia ka vlejtur për këtë moment dhe jemi duke e shijuar në maksimum,” tha ai.

Kampioni i Kosovës gjatë kohës së rregullt mbrëmë u mposht me rezultat 2-1 dhe të themi të drejtën paraqitja nuk ishte një nga ato më të mirat. Thaqi mendon se ka vend për përmirësime dhe nuk është dashur të presin penalltitë për të përcaktuar fituesin e ndeshjes.

”Kualifikimi i mbulon të gjitha edhe pse ka vend për përmirësime dhe për më mirë sepse është dashtë ta mbyllim me 90 minuta. Mirëpo, këto janë gjërat që do i analizojmë dhe përmirësojmë,” tha ai.

Ish-mbrojtësi i Prishtinës më tutje tregon edhe momentin që kur e kishin parë se nuk duhet të kënaqen vetëm me pjesëmarrje në Europë, por të synojnë diçka më shumë. Ai thotë se në fillim nuk e kanë menduar se do të arrijnë këtu.

”Me qenë realist në bazë herës së parë që klubi merr pjesë në Europë do ishte e vështirë që të themi se do shkojmë kaq larg, por kemi bërë punë të madhe dhe jemi me meritë këtu. Ndeshja me Zalgiris na bëri të mendojmë dhe besojmë që mundemi shumë më shumë sepse Zalgiris nuk është aspak skuadër e dobët dhe ne e dominuam totalisht aty menduam që meritojmë shumë më shumë se vetëm pjesëmarrjen,” tha ai për Gazeta Metro.

‘Pengesa’ e fundit e Ballkanit para fazës grupore është Shkupi. Armend Thaqi deklaron se nuk kanë arritur t’i shikojnë përballjet e tyre në Europë, megjithatë tani do t’i analizojnë dhe do të përgatiten për një ngjarje tjetër historike.

”Nuk i kemi shikuar ndeshjet e tyre sepse kemi një herë punë të vijmë deri aty. Tash kemi një javë kohë të përgatitemi dhe ta japim maksimumin edhe për një ngjarje tjetër historike,” përfundoi ai.

Ndeshja e parë mes Ballkanit dhe Shkupit në fazën e ‘play-offit’ do të zhvillohet të enjten e ardhshme, më 18 gusht në ‘Todor Proeski’, kurse ajo kthyese pas një jave më 25 gusht në ‘Fadil Vokrri’.

Related Articles