Armend Zemaj premton punësim në QKUK dhe spitale rajonale për specializantët

Armend Zemaj premton punësim në QKUK dhe spitale rajonale për specializantët

Armend Zemaj, kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka rikujtuar angazhimin e tij gjatë drejtimit të Ministrisë së Shëndetësisë në kohën e pandemisë COVID-19, duke theksuar se asnjë rrethanë nuk e ndali punën për mirëqenien e stafit shëndetësor.

Sipas Zemajt, për vite me radhë ndarja e specializimeve për mjekët kishte qenë e bllokuar, një situatë që po e shtynte stafin mjekësor drejt largimit nga vendi.

“Kjo ishte një bllokadë e pakuptimtë. Duhej veprim i menjëhershëm dhe zgjidhje konkrete,” ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij u angazhua në punësimin e mjekëve tashmë specialistë, si dhe mbi 500 mjekë të rinj që ishin të papunë. Brenda vetëm tre muajve, sipas tij, u ndanë rreth 1500 specializime, duke zhbllokuar një proces jetik për shëndetësinë kosovare dhe duke rikthyer dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë. “Sot, pas këtyre viteve, ata po e përfundojnë shkollimin specialistik me krenari,” ka shtuar Zemaj.

Në vazhdim, ai ka kritikuar qeverisjen aktuale për mungesë veprimi ndaj specializantëve, duke theksuar se ata janë ngarkuar vetëm me taksa dhe procedura burokratike. Sipas tij, ajo që nuk është bërë për vite me radhë, do të realizohet nga LDK pas 28 dhjetorit.

Zemaj ka premtuar se përveç rikthimit të shpresës dhe besimit, “LDK do t’u sigurojë specializantëve punësim të merituar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe në spitalet rajonale”.

“Kosova ka nevojë për ta. LDK do ta kthejë dinjitetin dhe shëndetësinë në vendin e merituar,” ka përfunduar ai.

Related Articles