Armët kineze dominojnë tregun ushtarak të Serbisë

Armët kineze dominojnë tregun ushtarak të Serbisë

Pas “Mig”-ëve rusë dhe “Rafale”-ve franceze, Serbia po kthehet te dronët dhe sistemet kineze kundërajrore (PVO).

Gjatë dy vjetëve të fundit, industria serbe e armëve ka importuar nga Kina mallra me vlerë rreth 240 milionë euro.

Të dhënat doganore përfshijnë vitin 2024 dhe periudhën deri në qershor 2025.

Zyrtarët serbë, gjithashtu, nuk kanë promovuar blerje të mëdha nga Kina, andaj nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për armë të reja apo pagesa për porosi të mëparshme.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen (SIPRI) në Stokholm, gjatë vitit 2024 nuk është raportuar për blerje të armatimit nga Kina.

Nga viti 2020 deri më 2024, Serbia ka importuar pjesën më të madhe të armëve nga Kina (57%), pastaj nga Rusia (20%) dhe Franca (7.4%).

Sipas Katarina Gjokiqit, hulumtuese në SIPRI, instituti u jep armëve një “vlerë ushtarake” bazuar në karakteristikat teknike dhe taktike.

“Edhe gjatë pesë vjetëve të fundit, për shkak të furnizimit me sistemet PVO, me distancë mesatare FK-3, që kanë një vlerë relativisht të madhe krahasuar me armët e tjera të siguruara në të njëjtën periudhë, Kina duket si eksportuesja kryesore e armëve, pra si vendi kryesor nga i cili Serbia importon armatim”, thotë Gjokiq.

Megjithatë, shton se imazhi i importit të armëve në Serbi është kompleks, sepse ka tendencë që të blihen armë nga vende të ndryshme.

“Në vitet e ardhshme, nëse dorëzohen ato që janë konfirmuar ose porositur, Franca, e ndoshta edhe Izraeli, do të mund të marrin rolin kryesor, përpara Kinës”, thotë Gjokiq për Radion Evropa e Lirë.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe është deklaruar neutrale ushtarakisht, por vazhdon të forcojë “miqësinë e hekurt” me Kinën përmes bashkëpunimit ushtarak.

Ajo është bërë vendi i parë evropian që ka blerë dronët kinezë CH-92 dhe CH-95, si dhe sistemet PVO FK-3 dhe HQ-17.

“Nuk ka të dhëna të besueshme, sepse Serbia nuk e ka publikuar kurrë zyrtarisht numrin e sistemeve të armatimit dhe të pajisjeve ushtarake që i kanë mbërritur nga Kina”, thotë Gjokiq.

“Ne mund të mbështetemi vetëm në ato që janë bërë publike deri tani”, shton ajo.

Ligjërisht, Serbia është e detyruar të publikojë raporte vjetore për importin dhe eksportin e armëve, por këto të dhëna janë publikuar për herë të fundit për vitin 2022.

Serbia – përveç Bjellorusisë dhe Rusisë – është i vetmi vend evropian që importon sasi të mëdha armësh dhe pajisjesh ushtarake nga Kina, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Ndikimi kinez përmes furnizimit me armë dhe ushtrimeve të përbashkëta ushtarake është përmendur edhe gjatë një debati për Ballkanin Perëndimor, që është zhvilluar më herët këtë muaj në Komitetin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

Armatimi kinez në Serbi – çfarë dihet?

Sipas të dhënave nga SIPRI, Serbia ka siguruar furnizime të mëdha armësh nga Kina gjatë periudhës 2019-2023.

Ky institut mbledh informacione nga burime zyrtare të çdo vendi, si dhe nga Regjistri i Armatimit Konvencional të Kombeve të Bashkuara (UNROCA).

Në vitin 2019, Serbia ka porositur gjashtë dronë CH-92 dhe 50 raketa FT-8 të prodhuara në Kinë.

Droni CH-92 përdoret për mbledhjen e të dhënave inteligjente, mbikëqyrje dhe sulme të sakta ndaj objektivave tokësore.

Këto pajisje janë dorëzuar në vitin 2020.

Po atë vit, sipas vlerësimeve të SIPRI-t, Serbia ka porositur tri sisteme PVO HQ-22 me 300 raketa, të cilat janë dorëzuar gjatë viteve 2022 dhe 2023.

Varianti për eksport i këtij sistemi, i njohur si FK-3, ka një distancë mesatare veprimi prej 100 kilometrash dhe i është prezantuar publikut në prill të vitit 2022, në aeroportin ushtarak Batajnica, pranë Beogradit.

Në vitin 2022, Serbia ka blerë gjithashtu 10 dronë kinezë CH-95 për mbikëqyrje dhe misione luftarake, të cilët janë dorëzuar atë vit dhe gjatë vitit 2023.

Këta dronë janë prezantuar publikisht gjatë demonstrimit të pajisjeve të reja të Ushtrisë së Serbisë në prill të viti 2023.

Sipas të dhënave të SIPRI-t, Serbia, në vitin 2023, ka blerë edhe katër sisteme PVO HQ-17A me 100 raketa përkatëse, të cilat janë dorëzuar në vitin pasues.

Ky sistem është integruar në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë në vitin 2024 dhe është prezantuar në paradën ushtarake “Zastava 2024”, në shtator të po atij viti.

Të dhëna për çmimin e këtyre blerjeve nga Kina nuk janë publikuar.

Paralajmërimi nga Uashingtoni

Gjatë një diskutimi për Ballkanin Perëndimor në Komitetin e Politikës së Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, më 3 dhjetor, është vlerësuar se Rusia dhe Kina kontribuojnë në destabilizimin e vendeve të rajonit.

Republikani Keith Self tha se kundërshtarët e Amerikës i shfrytëzojnë në mënyrë aktive dobësitë, për të zhvilluar një luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë e rajonit.

Ai shtoi se Kina përdor ndikimin e saj duke kryer ushtrime ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi, si dhe duke bërë marrëveshje ekonomike në të gjithë rajonin përmes një strategjie që synon të konsolidojë ndikimin e saj dhe të shfrytëzojë korrupsionin në Ballkanin Perëndimor.

Dyshime për blerjen e sistemit HQ-9

Disa media kanë spekuluar se Serbia mund të ketë blerë edhe një tjetër sistem kinez të mbrojtjes ajrore, HQ-9, duke u bazuar tek uljet e avionëve transportues të forcave ajrore egjiptiane, në korrik dhe gusht, në aeroportin ushtarak të Batajnicës, pranë Beogradit.

Kjo mënyrë është përdorur edhe më parë për të sjellë armë kineze në Serbi.

Megjithatë, në këta avionë mund të jenë transportuar edhe armë të porositura më parë, të cilat tashmë janë të njohura.

Në të gjitha bazat e hapura të të dhënave ushtarake, Serbia nuk figuron si përdoruese e sistemit HQ-9, i cili ka një rreze mbi 200 kilometra dhe deri tani është blerë nga Pakistani, Egjipti, Maroku, Uzbekistani dhe Turkmenistani.

Radio Evropa e Lirë ka konfirmuar se më 24 tetor, një avion transportues ushtarak i Egjiptit është ngritur nga Egjipti, por para se t’i afrohej hapësirës ajrore kineze, ka fikur pajisjen e identifikimit.

I njëjti avion është ngritur nga Kina katër ditë më vonë dhe është ulur në bazën ajrore ushtarake Al Minhad pranë Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Më pas, më 29 tetor, avioni është ulur në aeroportin ushtarak të Batajnicës.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të konfirmuar ose mohuar blerjen e HQ-9. Ngjashëm, as Ambasada kineze nuk ka dhënë përgjigje.

Pse nga Kina dhe pse dronë e sisteme PVO?

Gjokiq nga SIPRI shpjegon se për sistemet ajrore të mbrojtjes (PVO), Serbia përfiton nga fakti që ato bazohen në teknologji sovjetike dhe ruse. Kjo, sipas saj, e bën më të lehtë trajnimin e personelit dhe integrimin e sistemeve në Ushtrinë e Serbisë.

Sa u përket dronëve, motivi fillestar ka qenë mundësia e transferimit të teknologjisë për zhvillimin e dronit vendas “Pegaz” nga Instituti Ushtarak Teknik i Serbisë.

Gjatë blerjes së dronëve kinezë CH-92, Serbia ka punuar me partnerët kinezë për të zhvilluar “Pegaz”-in, i cili mund të përdorë raketa me udhëzues lazer. Ky dron është prezantuar për herë të parë në publik në prill të vitit 2022, gjatë paradës ushtarake “SHTIT 2022” në Batajnicë.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Bratisllav Gashiq, ka paralajmëruar gjithashtu se Serbia dhe Kina do të bashkëpunojnë në transferimin e teknologjisë dhe forcimin e lidhjeve mes industrive të mbrojtjes.

Çmimi luan një rol të madh në tërheqjen e armatimit kinez, thotë Gjokiq, dhe gjithashtu mund të ndihmojë në mbajtjen e raporteve të mira politike me Kinën.

Për më tepër, Kina, thotë ajo, nuk vendos kushte politike që mund ta bëjnë një blerës të ndjeshëm, siç ndodh shpesh me Shtetet e Bashkuara.

“Serbia nuk mund të blejë armë të mëdha nga SHBA-ja, sepse ato u shiten vetëm aleatëve dhe partnerëve”, thotë Gjokiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka mbrojtur blerjet kineze. Në prill të vitit 2022, ai ka thënë se blerja e sistemit FK-3 është legjitime, plotësisht e rregullt dhe transparente.

Mundësitë për blerje të reja

Vuçiq ka marrë pjesë në një paradë ushtarake në Pekin më 3 shtator. Aty ka thënë se ka vëzhguar se “çfarë do të ishte interesante për t’u blerë për Ushtrinë e Serbisë”.

Po sipas tij, zyrtarët serbë kanë biseduar me përfaqësues të më shumë se dhjetë kompanive ushtarake kineze, por nuk janë dhënë detaje të mëtejshme.

Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka interesim për raketa balistike dhe hipersonike kineze, por se Kina ofron avionë shumëfunksionalë të avancuar dhe helikopterë modernë.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse janë planifikuar blerje të reja të armëve kineze dhe çfarë mund të përfshihet në ato blerje.

As Ambasada e Kinës në Beograd nuk u është përgjigjur këtyre pyetjeve.

Çfarë tregon forcimi i bashkëpunimit ushtarak me Kinën?

Përveçse Kina është partnerja kryesore e Serbisë në fushën e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe dronëve, dy vendet kanë “kurorëzuar” bashkëpunimin ushtarak edhe me një stërvitje të përbashkët.

Qëllimi i kësaj stërvitjeje dhjetëditore të njësive speciale, e cila është mbajtur në provincën kineze Hebej gjatë gjysmës së dytë të korrikut, ishte fokusi në taktikat e përdorimit të dronëve.

Kjo stërvitje është zhvilluar pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli ndaj Serbisë.

Serbia është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që, si kandidate për anëtarësim në BE, pajis ushtrinë e saj me armë kineze.

Gjokiq thotë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë kryesisht anëtare të NATO-s dhe nuk shpenzojnë aq shumë për mbrojtje.

“Ato kanë gjithashtu ambicie më të vogla për blerjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të SIPRI-t, Serbia është vendi në Ballkanin Perëndimor që ka shpenzuar më së shumti për ushtrinë gjatë pesë vjetëve të fundit.

Gjokiq shton se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë objektiva shumë të qarta për blerjet ushtarake, të cilat kryesisht përfshijnë armë të këmbësorisë ose helikopterë që mund të përdoren edhe për qëllime civile.

“Ato kanë ambicie më të vogla, disponojnë opsione që Serbia nuk i ka dhe nuk duan të blejnë nga Kina, sepse Kina është rival strategjik i aleatit të tyre kryesor”, thotë Gjokiq.

Ajo kujton se SHBA-ja e konsideron Kinën si rival strategjik, prandaj vendet që janë aleate të SHBA-së, pjesë e NATO-s ose me marrëdhënie të mira partneriteti, nuk duan të blejnë armë kineze.

“Do të ishte e vështirë që Serbia të mund të blinte armë nga SHBA-ja – gjë që anëtarët e NATO-s zakonisht mund ta bëjnë”, shton Gjokiq.

Sipas saj, vendet e tjera në rajon blejnë armë edhe nga Turqia, e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s.

Vite më parë, autoritetet e Serbisë kanë shprehur interesim për blerjen e dronëve turq Bayraktar TB-2, por kjo blerje nuk është realizuar.

Related Articles