Arratisja e një të burgosuri nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë ka bërë që Shërbimi Korrektues i Kosovës të pezullojë nga puna katër zyrtarë.
Në mesin e të pezulluarve është drejtori i këtij burgu, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues.
Sipas ShKK-së, “i burgosuri ishte i dënuar me 14 vjet e 6 muaj burgim, nga të cilat i kishin mbetur edhe 3 vjet e 7 muaj”.
“Ai ishte i kategorizuar si i avancuar dhe, në momentin e arratisjes, ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë së institucionit. Gjithashtu, ai ishte në listën e të dënuarve që mund të përfitonin lirimin me kusht”, u tha në njoftimin e ShKK-së.
Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, ShKK tha se janë aktivizuar të gjitha procedurat e brendshme operacionale dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës tha se ka nisur hetimet e brendshme për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e këtij rasti, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Deri në përfundimin e hetimeve, drejtori i institucionit, një mbikëqyrës i lartë dhe dy zyrtarë korrektues mbeten të pezulluar nga detyra”, u tha në njoftim.