Tahir Batatina insiston se Llapi është i pastër si loti, përkundër faktit se emri i këtij klubi u lakua në mediat franceze si protagonist në skandalin e kurdisjes së ndeshjeve.
Nëntë persona, prej tyre katër kosovarë, u arrestuan në Francë së fundmi me akuzën e përfshirjes në kurdisje të ndeshjeve në futbollin e Kosovës, derisa u tha se bëhet fjalë për përfitime prej 360 mijë eurosh.
Megjithatë, trajneri i llapjanëve thotë se ai dhe familja e tij nuk e kanë asnjë lidhje me Francën, prandaj edhe shtoi se kanë qeshur kur e kanë dëgjuar përfshirjen e tyre dhe të klubit të tyre në këtë skandal.
“Ne si familje nuk e kemi askënd në Francë. Vëllezërit i kam në Gjermani dhe në Zvicër dhe me Francë s’kemi të bëjmë fare. Nuk e di as kush është prapa skandalit, ai le ta bajë barrën kryesore, le ta bajnë përgjegjësinë nëse dikush ka bërë diçka”, theksoi Batatina për “Kanal 10”.
Edhe njëherë, ai e përsëriti faktin se llapjanët s’kanë të bëjnë me dallavere, duke zbuluar se pasi të mbyllen hetimet, klubi nga “Zahir Pajaziti” do t’i padisë ata që u munduan ta përlyejnë emrin e këtij klubi.
“Jemi ndier shumë keq, askush s’mund të na e prish imazhin. Klubi i Llapit i lë dyert e hapura, duke filluar nga Prokuroria, shteti, UEFA, FIFA, FFK-ja që çdo gjë të hetojnë në këtë rast. Me mund dhe me djersë kemi arritur në këtë pozitë dhe këto lajme nuk na brengosin aspak. Ne nuk ndihemi keq fare, le të vazhdojnë me procedurat e gjërat. Ne nuk e kemi marrë asnjë e-mail zyrtar. Nëse ka diçka duhet të njoftohet klubi apo Federata. Ne do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë, Llapi është në rrugë të mirë. Janë personat kompetentë, le ta vlerësojnë çdo hap dhe çdo cep të Llapit.”
“Ne që jemi tek Llapi, jemi të gatshëm për të dhënë përgjegjësi. Le të hetohet çdo ndeshje e Llapit prej vitit 2013, kur kemi ardhur ne. Llapi duhet të vazhdojë punën e vetë, nuk duhet të merret me këto çështje. Le ta argumentojnë, le ta vërtetojnë që kemi bërë diçka.”
“E kemi fituar ndeshjen 4:2. Nuk ka pasur të bëjë me kurdisje, Feronikeli ka luajtur me juniorë. Secili mund t’i japë mendimet e veta, por Llapi është shumë i pastër dhe kjo do të dalë në dritë një ditë. Ne nuk do të heshtim, do të presim. Nuk do ta lëmë këtë çështje me kaq. Në momentin që do të përfundojnë hetimet, bashkë me avokatin tonë do të merremi me ata që e kanë përmendur emrin e Llapit”.
Në hetimet e bëra në Francë, përmendet se të përfshirë janë kryesia e klubit, shtabi teknik dhe disa lojtarë të Llapit.
Prokuroria themelore e Prishtinës i ka nisur hetimet, ndërsa duarkryq nuk po rri as Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, që po ashtu po e trajton këtë rast.
Në rast se vërtetohet fajësia, zyrtarët e Llapit mund të dënohen me burg dhe klubi kosovar mund të përjashtohet nga garat.