“Dhurata” për vizitën e presidentit amerikan, Joe Biden, pranë Meksikës, gati sa nuk nisi një luftë civile. 3 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë në përleshjet e armatosura në Sinaloa pas arrestimit të djalit të “mbretit” të kartelit meksikan të drogës, El Chapo, që vuan dënimin e përjetshëm në një burg të sigurisë së lartë në SHBA.
Ovidio Guzman-lopez, i cili dyshohet se ka marrë rolin e të atit në drejtim të kartelit famëkeq, u ndalua në Kuliakan dhe më pas u transferua me helikopter në Meksiko Siti.
Banda të armatosura dhe zemëruara për arrestimin, vendosën bllokada në rrugë, dogjën automjete dhe sulmuan një aeroport lokal në tentativë për të penguar transferimin e djalit të El Chapo-s. Dy avionë u goditën nga të shtënat, njëri prej të cilëve në momentin kur po nisej për fluturim.
“Po filmoja kur forcat ajrore mbërritën në aeroport, të cilat u pritën me të shtëna armësh. Tentuan të largoheshim, por nuk mundëm pasi kishte të shtëna dhe avioni u detyrua të ngrihej sërish. Të gjithë janë shtrirë në dyshemenë e aeroportit”, tha një dëshmitar, i identifikuar si Ernesto Ramos.
Nga episodet e dhunës, më shumë se 100 fluturime u anuluan në 3 aeroportet e Sinaloas. Shkollat, disa dyqane dhe institucione lokale janë mbajtur të mbyllura për shkak të situatës. Guvernatori i këtij shteti meksikan konfirmoi se 18 persona janë pranuar në spital me dëmtime nga përplasjet e armatosura. Ovidio Guzman-Lopez, që mban nofkën “Miu”, akuzohet për trafik droge, deri në 2,2 tonë metamfetaminë në muaj nga 11 laboratorët e tij të paligjshëm, vrasjen e informatorëve të policisë, rivalëve në trafikun e drogës dhe të një këngëtari të njohur meksikan që refuzoi të këndonte në dasmën e tij.
Meksika pranoi se në operacionin 6 mujor për kapjen e tij janë përfshirë dhe zyrtarë amerikanë. Drejtësia amerikane kishte vendosur dhe një shpërblim deri në 5 milionë dollarë për informacione lidhur me kapjen e tij. “Miu” ishte arrestuar dhe në 2019, por u lirua për të shmangur një guerile urbane nga mbështetësit e tij.