Detaje nga arrestimi i “baronit” shqiptar të drogës, në shtëpi iu konfiskua një AK-47 me 15 fishekë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë arrestuan gjatë ditës së sotme Gëzim Çelën, i njohur si “baroni i drogës”.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, i cili tha Çela ishte i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri.

Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim, duke dhënë detaje rreth arrestimit të Gëzim Çelës.

Siç bëhet e ditur në njoftim, në momentin e arrestimit ai ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova, teksa arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt.

Tutje thuhet se lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar.

Njoftimi i plotë:

Policia e Kosovës, konkretisht zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), pas një pune intensive operative dhe në bashkëpunim e koordinim me autoritetet policore të Republikës së Shqipërisë, sot më 08.12.2023, në një fshat në Ferizaj, kanë arrestuar një të dyshuar.

Hetuesit policorë nga DHTN-ja kanë arritur që sot rreth orës 17:55, të lokalizojnë vend-ndodhjen e të dyshuarit, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. I dyshuari G.Ç., (mashkull shtetas i Shqipërisë), në momentin e arrestimit ishte në shoqëri me dy femra shtetase të Shqipërisë dhe një mashkulli nga Kosova. Dyshohet se shtetasi i Kosovës, ka strehuar për një kohë në shtëpinë e tij në një fshat të Vitisë, të dyshuarin nga Shqipëria. Arrestimi është kryer në fshatin Dardani të Ferizajt dhe hetuesit e anti-drogës gjatë operacionit të arrestimit të të dyshuarit janë mbështetur nga njësi tjera të PK-së.

Për arrestimin janë njoftuar organet e drejtësisë dhe me urdhër nga prokurori i Departamentit të Krimeve të Rënda-Ferizaj është kontrolluar shtëpia e të dyshuarit A.I., në një fshat të Vitisë. Gjatë kontrollit në shtëpi është gjetur dhe konfiskuar një AK-47 me 15 fishekë.

Po ashtu, lidhur me rastin është njoftuar edhe Njësia FAST-ILECU të cilët në koordinim me organet e drejtësisë, do të merren me procedura rreth rasteve kur kemi të bëjmë me arrestime të personave që janë në kërkim ndërkombëtar.

Policia e Kosovës do të vazhdojë aktivitetet në drejtim të sigurimit të një ambienti sa më të sigurt për qytetarët, arrestimin e personave të dyshuar dhe dërgimin e tyre para organeve të drejtësisë si dhe do të vazhdojë e të thellojë bashkëpunimin me policitë e shteteve mike, me theks të veçantë me Policinë e Shtetit.

Related Articles