Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas arrestimit të Besnik Mujecit në Shqipëri si i dyshuar për transportim të substancave narkotike.
Në llogarinë e tij në Facebook, i pari i këtij subjekti politik ka ngritur dyshime se ekziston një rrjet i cili merret me bartjen e narkotikëve, raporton Klan Kosova.
Andaj, ai ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që ta hetojë këtë rrjet dhe njerëzit e përfshirë në këtë skemë.
“Muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit. Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Sipas tij, synim asokohe i VV-së, ndër të tjerash, ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusëve të Kryeqytetit.
“Sot, teksa një asambleist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, ka shtuar Abdixhiku.
Tutje, ai ka shtuar se pazaret e tilla duket se kanë pasur një qëllim më të thellë.
“Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces”, ka theksuar ai.