Arrestimi i Popoviqit për shkak të fjalimit anti UÇK, Petkoviq e njofton Brukselin: Të lirohet urgjentisht

Arrestimi i Popoviqit për shkak të fjalimit anti UÇK, Petkoviq e njofton Brukselin: Të lirohet urgjentisht

E ashtuquajtura ‘Zyre për Kosovën’’ ka reaguar pas arrestimit të Igor Popoviqit, pas një fjalimi të mbajtur në Rahovec ku ka përdorur gjuhë të ashpër anti UÇK.

Në komunikatë e lëshuar bëhet e ditur edhe se Petar Petkoviq ka njoftuar BE-në, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Popoviqit.

Për arrestimin e tij ka shkruar edhe ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla.

Sveçla njoftoi se ai u arrestua në Bërnjak.

Sipas tij, Popoviq gjatë një fjalimi në Rahovec me deklarimet e tij ka nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë.

“Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore. Për këtë shkak, zyrtari i Qeverisë së Serbisë është ndaluar në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas është dërguar në stacionin policor në Mitrovicën e Veriut. Ndaj tij pritet të merren masa sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë.”, njoftoi Sveçla.

Ai tha se Republika e Kosovës është shtet demokratik dhe sovran dhe nuk do të tolerojë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë.

“Ne as nuk kemi cenuar një shtet tjetër, as nuk kemi provokuar popullatën e një shteti tjetër dhe as nuk do të lejojmë veprime të tilla ndaj nesh. Nuk do te tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare. Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare.”, ka shkruar ai.

Related Articles