Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në takimin e përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, të hënën, të adresohet përndjekja e veteranëve të UÇK-së dhe të drejtat themelore të shqiptarëve në këtë shtet.
Krasniqi përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka kritikuar Qeverinë Kurti që si organizatore e këtij takimi nuk ka përfshirë këto dy çështjeve në agjendë
“Arrestimi i veteranëve të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut, siç ndodhi gjatë këtij viti, është i papranueshëm dhe cenon raportet tona ndërshtetërore. Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë me këmbëngulje që raste të tilla, të cilat po ndodhin tani me qeverinë e re në Maqedoni të Veriut, të mos përsëriten më. Sot, asnjë veteran i UÇK-së nuk është i sigurt të kaloj kufirin me Maqedoninë e Veriut, për shkak të rrezikut që ky shtet të zbatojë fletë-arrestet e Serbisë kundër luftëtarëve të lirisë”, ka shkruar ai.
“Derisa këto çështje urgjente të adresohen siç duhet, pikat e tjera të agjendës rrezikojnë të mbeten nën hijen e pakënaqësive të pazgjidhura të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Bashkëpunimi i vërtetë kërkon një qasje të ndershme dhe proaktive ndaj sfidave të tilla, duke siguruar që dinjiteti dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen dhe të mbrohen pa dallim. Përndryshe, mbledhje të përbashkëta për shou politik e pa përmbajtje nuk i duhen askujt”, ka shkruar ai.
Tutje Krasniqi ka bërë thirrje që të rikthehet organizimi i takimeve me Shqipërinë.
“Megjithatë, para çfarëdo mbledhjeje tjetër, Kosova duhet ta rikthejë traditën e mirë të takimeve me Shqipërinë, një praktikë e rëndësishme për unitetin dhe bashkëpunimin ndërshqiptar, e cila është ndërprerë nën qeverinë aktuale të Albin Kurtit”, ka shkruar Krasniqi. /Gazeta Enigma/