Arrestimi nga Serbia i dy të rinjve nga Podujeva, MPJD reagon

Arrestimi nga Serbia i dy të rinjve nga Podujeva, MPJD reagon

Dy të rinj nga Podujeva janë arrestuar të premten nga autoritetet e Serbisë, raportohet nga burime të ndryshme. Ata dyshohet se janë arrestuar në territorin e Serbisë, ndërsa ishin duke pritur dru.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka reaguar lidhur me këtë rast, duke thënë se është duke ndjekur situatën dhe po ndërmerr masa për të siguruar lirimimin e tyre.

Ministria ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të të rinjve dhe po punon me autoritetet përkatëse për të marrë informacionin dhe për të siguruar kthimin e tyre në Kosovë.

Në një përgjigje për Klankosova.tv MPJD thekson se janë në pritje të konfirmimit të rastit, identitetit të të arrestuarve dhe lokacionit se ku po mbahen ata, transmeton Gazeta Enigma.

“Në lidhje me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar tashmë Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, një kërkesë formale për ta konfirmuar rastin, si dhe për të ofruar detajet tjera relevante, përfshirë identitetin e personave të arrestuar dhe lokacionin ku ata janë duke u mbajtur”, thuhet në përgjigje.

Lidhur me këtë, janë njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd.

“Në momentin e konfirmimit, diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi do të bëjnë kërkesë zyrtare për vizitën e tyre në qendrën e paraburgimit ku ata janë duke u mbajtur”, thuhet tutje në përgjigje./GazetaEnigma/

Related Articles