Dy persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të mashtrimit duke kërkuar 100 mijë euro nga një person për shërimin e një familjari të tij në një spital në Stamboll, edhe pse shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Kosovës.
Policia e Kosovës ka njoftuar për rastin të enjten duke bërë të ditur se ka realizuar bastisje në zyrat e një subjekti ekonomik në Prishtinë.
“Dyshimet lidhen me mashtrimin e një qytetari që i është kërkuar një shumë mbi 100,000 (njëqind mijë) euro për shërimin e një anëtari të familjes së tij në një spital në Stamboll, ndonëse shpenzimet ishin mbuluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Gjatë bastisjes, janë siguruar dokumente dhe pajisje si prova tjera”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit I.P. dhe A.B. janë ndaluar për 48 orë. Një i dyshuar tjetër është në kërkim.
Policia ka thënë se po vazhdon hetimet për të zbardhur rastin plotësisht dhe për të siguruar drejtësi për viktimat e mundshme.