Dy 23-vjeçarë kosovar kanë rënë në prangat e policisë, pasi fshehën një 17-vjeçare në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonin, duke u munduar ta kalonin në mënyrë të jashtëligjshme në territorin shqiptar.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin N. K..
Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e këtij automjeti, autoritetet gjetën të fshehur një shtetase 17 vjeçe, banuese në Prishtinë, e cila dyshohet se po ndihmohej nga këta 2 shtetas, për të kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin.
Nga verifikimet ka rezultuar se 17-vjeçarja kishte tentuar edhe më parë të hynte në vendin tonë, por për shkak të moshës, nuk ishte lejuar të hynte e pashoqëruar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasit A. M. dhe N. K., të dy të moshës 23 vjeç dhe banues në Prishtinë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.