Prokuroria Themelore në Prishtinë bashkë me Policinë e Kosovës kanë arrestuar pesë persona për mashtrim me bitcoin, njofton Gazeta Enigma.
Arrestimet u bënë pas pesë bastisjeve në pesë lokacione, përkatësisht në Prishtinë, Kamenicë dhe në Viti.
Një nga të arrestuarit është zyrtar i Shërbimit Korrektues
”Në kuadër të këtij aksioni, janë kryer bastisje në pesë (5) lokacione, përkatësisht në Prishtinë, Kamenicë dhe në Viti, ku fillimisht janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar, prej tyre një (1) zyrtar i Shërbimit Korrektues, ndërsa pas intervistimit të tyre në stacion policor, të njëjtit janë dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh nga Prokurori i Shtetit, për shkak të veprës penale “Mashtrimi”, sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Personat me inicialet: B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoina, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave.
Në këtë çështje janë në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse.
Nga bastisjet e realizuara janë sekuestruar fatura e prova të tjera. /Gazeta Enigma