Sot u raportua se një aksion policor kundër lojërave të fatit që po zhvillohej në rajonin e Gjakovës, ku cak i bastisjeve ishin disa lokacione. Ky aksion ka rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë me dije se të arrestuarit dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale ‘Krim i organizuar’ dhe ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.
Në fillim të prillit, gjatë operacionit ‘Verona’ ishin arrestuar edhe dhjetë persona tjerë në rajonin e Pejës dhe Prishtinës.
“Sot, më 14.06.2023, policia, në vazhdimësi të operacionit të sipër-cekur, duke zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtine-Departamenti Special, ka kryer kontrolle në tri lokacione në rajonin e Gjakovës dhe ka arrestuar tre të dyshuar po ashtu të dyshuar për përfshirje në veprat penale ‘krim i organizuar’ dhe ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Policia me këtë rast ka gjetur dhe marrë disa dëshmi që lidhen me rastin”, thuhet në njoftim.
Gjithsej nga 5 prilli e deri më sot janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje 16 të dyshuar.
Të dyshuarit janë intervistuar nga organet e hetuesisë dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.