Në dy operacione të ndara Policia e Kosovës, në Fushë Kosovë dhe Obiliq ka arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje, raporton Gazeta Enigma.
Në njoftimin e Policisë thuhet se hetuesit policor të stacioneve policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, respektivisht stacioni në Fushë Kosovë dhe Obiliq, po vazhdojnë Planin Operativ për Parandalimin dhe Zbulimin e vjedhjeve.
Dy nga këto operacione të realizuar sot, ku janë arrestuar 3 persona të dyshuar për vjedhje.
Personi i parë i arrestuar është F. S. mashkull, 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në një rast të vjedhjes së rëndë që kanë ndodhur me 06.05.2021, në një objekt në Zonën Industriale në Fushë Kosovë.
Ndërsa dy personat e tjerë të arrestuar janë N. I. mashkull, 42 vjeç dhe B. I. mashkull, 46 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët nga njësitet policore të Obiliqit, janë arrestuar në flagrancë, menjëherë pasi ishin larguar nga një market ku kishin kryer një vjedhje.
Ndaj personave të arrestuar në koordinim me prokurorin e shtetit, hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në të cilat dyshohet të jenë të përfshirë, thuhet në njoftimin e Policisë.