Policia e Kosovës ka arrestuar tre të mitur në Mitrovicë të Veriut, të dyshuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.
Sipas policisë, arrestimi i tre të miturve I.D., J.S., dhe V.M., është bërë mbi dyshimet e bazuara se ata janë përfshirë në rastin e raportuar më 28 shtator në Mitrovicë të Veriut, pasi ankuesi kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht derisa po lëvizte në rrugën “Lola Ribar” dhe të njëjtit gjithashtu kishin kanosur nipin e tij të mitur.
“Arrestimi i të miturve është realizuar në qytetin e Mitrovicës Veri, ndërsa ata janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, të njëjtit janë liruar, ndërsa ndaj tyre janë inicuar raste për veprat penale: ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’”, thuhet në njoftim.
Tutje, policia tha se mbetet e përkushtuar në luftimin e dhunës dhe sigurinë e qytetarëve, teksa thanë se inkurajojnë qytetarët që të raportojnë rastet e ngjashme në mënyrë që të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore.