Është arrestuar një person në Gjakovë pasi që i njëjti kishte rrëmbyer një femër dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Yll Morina” dhe se i dyshuari M.U., është arrestuar pasi që kishte rrëmbyer viktimën (femër e moshës madhore) nga një taksi.
“Sot me datën 15.09.2023 rreth orës 15:20, Stacioni Policor në Gjakovë ka pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë kishte tërhequr me forcë një grua nga një taksi dhe e kishte futur në veturën e tij dhe ishte larguar në drejtim të panjohur. Pa humbur kohë është filluar me mbledhjen e informatave dhe pas një procesi operativ dhe hetimor është arritur të identifikohet dhe të arrestohet i dyshuari me inicialet M.U., mashkull kosovar i lindur në vitin 1987 mbi dyshimin se kishte privuar nga liria viktimën (femër e moshës madhore) dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore.” – thuhet në njoftim.
PK ka bërë të ditur se i arrestuar është dërguar në mbajtje, ndërsa viktimës i është ofruar tretman mjekësor.
“Viktimës iu është ofruar ndihma mjekësore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.