Një 42-vjeçar me inicialet B.K është arrestuar sot në Ferizaj, pasi dyshohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia njofton se i njëjti një ditë më parë në fshatin Sojevë ka gjuajtur me armë zjarri drejt shtëpisë së një personi.
Ky i fundit pasi e kishte dëgjuar krismën e armës, kishte vërejtur se në njërën nga dhomat e shtëpisë ishte thyer dritarja dhe brenda dhomës në komodinë ishte një predhë.
“Policia e stacionit në Ferizaj, konkretisht Njësia e Hetimeve i ka marrë masat e nevojshme, ka ndalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i ka nisur hetimet”, thuhet në komunikatën për media.
“Pas një pune hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren dhe dëshmive të mbledhura nga vendi i ngjarjes, sot rreth orës 10:30 kanë shoqëruar në stacionin e policisë personin e dyshuar B.K (M/K) i moshës 42 vjeçar”.
I dyshuari e ka pranuar se ka gjuajtur me armë dhe të njëjtën që e kishte pa leje e ka dorëzuar në stacionin e policisë.
“I dyshuari, pasi është intervistuar nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit, i njëjti është liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve’”.