Një grabitje e armatosur është shënuar në orët e para të mëngjesit të 26 dhjetorit 2025 në rrugën Çagllavicë–Llapnasellë, rast që ishte raportuar ekskluzivisht nga Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arritur të sigurojë prezencën e njërit nga të dyshuarit, i cili tashmë është dërguar në mbajtje.
Sipas Policisë, zyrtarët e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë kanë identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për veprën penale grabitje, e cila kishte ndodhur në një vilë në Çagllavicë.
“Zyrtarët e Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, kanë arritë të sigurojnë prezencën e një personi të dyshuar për veprën grabitje, që ka ndodhë me datën 26.12.2025, në një vilë në Çagllavicë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje, Policia ka bërë të ditur se po vazhdon puna për arrestimin e një personi tjetër të dyshuar në lidhje me këtë rast.
“Puna e zyrtarëve policor për arrestimin e personit të dytë të dyshuar lidhur me këtë rast po vazhdon, ndërkohë që personi i dyshuar: V.B, (mashkull) 32 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.
