Arrestohet një person për sulmin ndaj gjinekologut Afrim Veliu

Arrestohet një person për sulmin ndaj gjinekologut Afrim Veliu

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në lidhje me sulmin fizik ndaj gjinekologut Afrim Veliu dhe një incident tjetër të ndodhur ditë më vonë pranë ordinancës së tij në lagjen Ulpiana të Prishtinës.

“Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME).

Pas hetimeve të thelluara, dje në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit. Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit të personave tjerë të përfshirë dhe zbardhjes së plotë të rastit.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën, dhe riafirmon përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe zbulimin e çdo vepre penale që cenon rendin dhe qetësinë publike”, thuhet në njoftimin e policisë në Facebook.

Related Articles