Policia e Kosovës ka arrestuar një serb për krime lufte kundër popllsisë civile në Komunën e Istogut, shkruan Enigma.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se ky i fundit gjatë kohës së luftës në Kosovës, rreth muajit mars 1998, në Istog ka kryer vepra të ndryshme penale, përfshirë plackitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në koordinim, bashkëpunim dhe me autorizim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, sot më 12.09.2024, ka arrestuar të dyshuarin T.P., i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘krimi i luftës kundër popullsisë civile’, vepër kjo e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. I dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth muajit mars të vitit 1999, në Komunën e Istogu, ka kryer vepra të ndryshme penale duke përfshirë, plaçkitjen dhe shkatërrim të pasurisë së popullsisë civile”, thuhet në komunikatë.
Në përfundim, thuhet se me urdhër të prokurorit të cështjes, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit dhe ndalimit policor, për t’u dërguar tek Gjyqtari i Procedurës paraprake, brenda afatit ligjor.