Arrestohet personi i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara

Arrestohet personi i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara

Policia e Kosovës ka njoftuar se bashkë me Prokurorinë Speciale të Kosovës, gjatë viteve 2023-24 kanë ndërmarrë disa veprime për parandalimin e futjes së parave të falsifikuara, të cilat kishin çrregulluar tregun e parave.

Sipas policisë, këto lëndë ishin bërë pjesë e një hetimi ndërkombëtar, pas të cilave ishte krijuar Ekipi i Përbashkët Hetimor, i përbërë nga Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës, Prokuroria Themelore në Shkup dhe Policia e Maqedonisë së Veriut.

“Me datë 4 Gusht 2024 në Kosovë është arrestuar një shtetas i Maqedonisë së Veriut i dyshuar për prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara me prerje metalike prej 2 (dy) Euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë kryer kontrolle në tri lokacione”.

“Gjatë kontrollit u sekuestruan makineri për prodhimin e parave të falsifikuara me prerje metalike 2 (dy) Euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë të gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre”, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se me aktvendim të prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale, shtetasi maqedonas është ndaluar për 48 orë, teksa bëhet e ditur se operacioni është mbështetur nga Europol dhe Eurojust.

“Autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbesin plotësisht të përkushtuara në përpjekjet e përbashkëta për të luftuar krimet që atakojnë tregun financiar dhe për zhvillet tjera, do të njoftojnë publikun në kohë”, thuhet në reagim.

Related Articles