Arrestohet shqiptari në Itali – Mbante të mbyllur në banesë ish-gruan dhe dy fëmijët

Arrestohet shqiptari në Itali – Mbante të mbyllur në banesë ish-gruan dhe dy fëmijët

Një shqiptar është arrestuar në Itali, pasi dyshohet se ka mbajtur ‘peng’ në banesë ish-gruan dhe dy fëmijët të moshës 7 dhe 11 vjeç, duke ushtruar edhe dhunë fizike në ta.

Ngjarja e rëndë sipas mediave italiane, kishte ndodhur në qytetin e Gubbios.

Aksioni për arrestimin e 53 vjeçarit u u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Peruxhias dhe nisi falë një sinjalizimi të ardhur nga autoritetet shqiptare përmes rrjeteve konsullore.

Ato kishin marrë informacione se një shtetas shqiptar po i mbante me forcë ish-gruan dhe fëmijët e tij në territorin italian, të cilët pas kontaktit me Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë në Romë, mëngjesin e së premtes u lëshua një plan kërkimi i menjëhershëm nga Kompania e Karabinierëve në Gubbio, përfshirë patrulla, verifikime të menjëhershme dhe mjete teknike për të lokalizuar autorin dhe viktimat.

Vetëm një orë më pas, forcat e rendit arritën të ndalonin një automjet që drejtohej nga burri shqiptar, brenda të cilit ndodheshin ish-bashkëshortja dhe dy fëmijët, të cilët dukeshin goxha të shqetësuar.

Menjëherë sapo panë karabinierët, gruaja dhe njëri prej fëmijëve kërkuan ndihmë, duke konfirmuar dyshimet e para dhe duke përfunduar operacionin me sukses.

Nga hetimi i ngjarjes rezulton se burri e kishte mashtruar ish-bashkëshorten që të vinte në Itali më 30 korrik së bashku me fëmijët, por pasi ata mbërritën, ua kishte marrë pasaportat dhe celularët për t’i ndaluar të largoheshin.

Gjatë ditëve të qëndrimit të detyruar, ai kishte ushtruar edhe dhunë fizike dhe psikologjike ndaj tyre.

Pas ndalimit të autorit, karabinierët vendosën nën mbrojtje nënën dhe dy fëmijët në një strukturë të sigurt.

Ndërsa për burrin, përveç akuzës për privim të paligjshëm të lirisë dhe dhunë në familje, rëndon edhe akuza për mbajtje të paligjshme të një thike.

Ai është dërguar në burgun e Peruxhias me urdhër të prokurorit të çështjes.

Related Articles