Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim me prokurim publik.
Bëhet fjalë për një arkitekt në Drejtorinë e Urbanizimit dhe Mjedisit në Komunën e Ferizajt i cili i kishte mundësuar përfitim material një personi tjetër duke i shkaktuar buxhetit të Komunës dëm në vlerë prej 67.659.41 euro.
Sipas njoftimit të Policisë, arkitekti S.B pasi ishte caktuar menaxher i një projekti kishte keqpërdorur detyrën zyrtare duke nënshkruar një aneks kontratë pa bërë verifikimin e punëve të kryera në teren.
Në këtë mënyrë, sipas Policisë, ai i kishte mundësuar përfitim material të dyshuarit H.H.
“I dyshuari S.B. duke mos zbatuar detyrimet dhe përgjegjësitë e Menaxherit të Projektit, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, kurse i dyshuari H.H. si përfitues i tenderit dyshohet që në bashkëpunim me menaxherin e projektit, ka ofruar fatura dhe situacione për projektin e caktuar pa u kryer punimet në teren, duke i shkaktuar dëme buxhetit të Komunës së Ferizajt dhe Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 67.659.41€uro, dhe me këto veprime dyshohet të ketë kryer veprën penale ”Keqpërdorimi dhe mashtrimi me prokurim publik”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë./KP