Prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit ndaj mësimdhënësit të shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, Valentin Selmanaj, i cili është filmuar fshehurazi duke e puthur një nxënëse të klasës së shtatë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka thënë se kërkesa për paraburgim është dorëzuar në gjykatë për dy vepra penale.
Përveç për “Sulm seksual”, ai dyshohet edhe për veprën penale “Kanosje”, meqë dyshohet se i njëjti ka kanosur edhe personin që ka bërë video-incizimet.
“Kërkesa për paraburgimi është dorëzuar në gjykatë nga prokurori i shtetit për dy vepra penale ndaj të pandehurit “Sulm seksual” dhe “Kanosje”. Dyshohet se i pandehuri ka kanosur edhe personin që ka bërë video-incizimin”, ka deklaruar Nikçi.
I njëjti është suspenduar edhe nga puna, për një periudhë prej gjashtë muajsh.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në komunën e Deçanit, Besnik Hulaj.
“Po është suspenduar për gjashtë muaj, dhe i njëjti do të kaloj në komision disiplinor”, ka thënë Hulaj.