Arsyetimi i Supremes për lirimin e Naser Pajazitajt: S’ka prova direkte që e argumentojnë fajësinë

Arsyetimi i Supremes për lirimin e Naser Pajazitajt: S’ka prova direkte që e argumentojnë fajësinë

Gjykata Supreme e ka publikuar aktgjykimin për lirimin e Naser Pajazitajt nga akuza për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Sipas Supremes, “nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit, por vetëm indicie dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes.”

“Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur.

Gjykata Supreme e Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me standardin e aplikuar së pari nga ana e Prokurorisë së Shtetit e mbështetur pastaj nga ana e dy gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore, të cilat përdorën një standard minimal të të provuarit dhe kundruall kësaj shqiptuan dënim maksimal dhe atë pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës dhe njëkohësisht duke bërë interpretim të gabuar të ligjit penal”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Ndryshe, Naser Pajazitaj është gjykuar tri herë për këtë rast. Në mars të vitit 2018, Gjykata Themelore në Pejë e kishte liruar Pajazitajn nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, në mungesë të provave. Pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer lëndën në rigjykim.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit, në korrik të vitit 2019.

Në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet, atë e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast. Lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Më 27 maj të vitit 2021, Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur fajtor Pajazitajn dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Apeli e kishte kthyer sërish rastin në rigjykim.

Pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtjes, Apeli kishte marrë vendim, me të cilin ia kishte ulur dënimin nga burgimi i përjetshëm, në 35 vjet burgim.

Më 6 prill të këtij viti, Kolegji Penal i Gjykatës Supreme e ka liruar Pajazitajn nga akuza për vrasje.

Komunikata e plotë e Gjykatës Supreme:

Prishtinë, 2 maj 2023 – Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale kundër të dënuarit N.P., e ka miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të tij, i ka ndryshuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe të Gjykatës së Apelit dhe të dënuarin e ka liruar nga akuza për veprën penale vrasja e rëndë.

Sa iu përket dy veprave penale të mbajtjes në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve, dënimet e shqiptuara në kohëzgjatje prej 1 (një) viti dhe në kohëzgjatje prej 5 (pesë) muaj, janë marr si të vërtetuara dhe dënimi unik është caktuar burgimi në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 3 (tre) muaj (dënim të cilin N.P., e ka kaluar në burg).

Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur më 6 prill 2023, vlerësoi se meqë në shqyrtimet e kaluara gjyqësore të të dy instancave më të ulëta gjyqësore, janë marrë në konsideratë të gjitha provat e mundshme për vendosjen e kësaj çështje penale, kjo gjykatë duhet t’i jap epilog kësaj çështje penale.

        Gjykata Supreme e Kosovës në tërësi pajtohet me konkludimet e nxjerra nga dy instancat gjyqësore, se në rastin konkret, sipas asaj që ceket në dispozitivin e aktgjykimit të shkallës së parë nuk rezultojnë të jenë kontestuese rrethanat objektive të rastit dhe atë se: e ndjera D. P., me datë 09.11.2015 kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në punë dhe të njëjtën datë edhe është zhdukur. Kufoma e saj ishte gjetur me datë 17.12.2015 në vendin e quajtur “Kroi i Lajthisë”, se e njëjta ishte privuar nga jeta duke u qëlluar dy herë në pjesën e kokës, me një revole të tipit të panjohur.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kontestuese janë rrethanat subjektive, përkatësisht fakti se a është kryerësi i veprës penale i pandehuri, dhe është pikërisht ky aspekt, që bëri dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër.

Në këtë çështje juridiko penale, nuk ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuarit, por vetëm indicie dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes. Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur.

 Gjykata Supreme e Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me standardin e aplikuar së pari nga ana e Prokurorisë së Shtetit e mbështetur pastaj nga ana e dy gjykatave të dy instancave më të ulëta gjyqësore, të cilat përdorën një standard minimal të të provuarit dhe kundruall kësaj shqiptuan dënim maksimal dhe atë pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës dhe njëkohësisht duke bërë interpretim të gabuar të ligjit penal.

Related Articles