Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 dhjetor 2022, pati shpallur aktygjikim dënues ndaj të akuzuarve L.G dhe K.Sh për vjedhjen e 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Shtetit, duke i dënuar kështu me 21 vitë burgim dhe 41 mijë e 500 euro gjobë.
“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktgjykimin në fjalë në arsyetimin e të cilit fillimisht është sqaruar historiku procedural i rastit.
Në arsyetimin e gjykatës thuhet se, me rastin e marrjes së vendimit për dënimin gjykata mori parasysh të gjitha rrethanat e parapara me nenin 69 të KPRK-së që ndikojnë në caktimin e llojin dhe lartësinë e dënimit, duke i analizuar si rrethanat renduese ashtu edhe ato lehtësuese dhe mbi bazën e këtyre rrethanave gjykata vlerësoj shkallën e përgjegjësisë penale të pandehurve dhe rrezikshmërinë konkrete të kësaj vepre penale.
Në pikën e arsyetimit të aktgjykimit “Vendimi mbi dënimin”, thuhet se për të pandehurin Labinot Gruda gjykata me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, pati parasysh rrethanat për zbutjen dhe ashpërsimin e dënimit, duke e vlerësuar si rrethanë rënduese shkallën e lartë të pjesëmarrjes dhe dashjes së të pandehurit në kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 par.2 dhe par.3 pika 4 në lidhje me par.1 të KPRK-së.
“I pandehuri si person zyrtar kishte shkelur rëndë besimin që i është dhënë në bazë të detyrave të punës zyrtare, kishte shkelur rëndë edhe besimin e kolegëve të tij, duke vepruar edhe në emër të tyre, duke krijuar qasje në sistem në emrin e tyre, krejt kjo me qëllim të kryerjes së veprës penale, e me të cilat veprime ka rrezikuar sigurinë dhe stabilitetin financiarë të Buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim.
Ndërsa, si rrethanë lehtësuese me rastin e përcaktimit të lartësisë së dënimit për të pandehurin Gruda gjykata kishte marrë pranimin e fajësisë dhe keqardhjen e shfaqur nga i njëjti.
Kurse, sa i përket të pandehurit Shala në arsyetimin e gjykatës thuhet se me rastin e caktimit dhe llojit të lartësisë së dënimit për të njëjtin gjykata pati parasysh të gjitha rrethanat për zbutjen dhe ashpërsimin e dënimit, duke e vlerësuar si rrethanë rënduese shkallën e lartë të pjesëmarrjes dhe të dashjes së të pandehurit në kryerjen e veprës penale.
Po ashtu me rastin e përcaktimit të dënimit gjykata si rrethanë rënduese mori parasysh të kaluarën kriminale të pandehurit Kadri Shala, i cili bazuar në evidencën penale të kësaj gjykate ka qenë i dënuar me aktgjykimin të plotfuqishëm në vitin 2016.
Ndërsa, ndonjë rrethanë lehtësuese për këtë të pandehur gjykata nuk ka gjetur.
Tutje, në aktgjykim thuhet se duke zbatuar rregullat e përgjithshme për matjen e dënimit të përcaktuar me ligj gjykata konstatoi shkallë të lartë të përgjegjësisë penale në kryerjen e veprave penale nga të pandehurit, si dhe intensitet të lartë dhe rrezikimit të vlerës së mbrojtur e që në këtë rast është Buxheti i Republikës së Kosovës.
Gjithashtu thuhet se, gjykata është e bindur se me dënimin si në pjesën dënuese të këtij aktgjykimi do të arrihet qëllimi ndëshkimor në kuptim të preventives speciale dhe ky dënim do të ndikoj te të pandehurit që të përmbahen nga përsëritja e veprave penale në të ardhmen.
“Po ashtu të arrihet edhe qëllimi ndëshkimorë kuptim të preventives gjenerale që dënimi i shqiptuar të parandaloj personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjnë kompensimin e të dëmtuarve për dëmet e shkaktuara nga kryerja e veprave penale por edhe të shpreh gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në aktgjykim.
Sipas këtij aktgjykimi, pas administrimit të provave materiale si dhe atyre personale gjykata ka arritur tek përfundimi se fillimisht i pandehuri Labinot Gruda me qëllim të maskimit të natyrës të mjeteve monetare, shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë nga Thesari i Republikës së Kosovës e ka transferuar në llogarinë bankare në TEB Bank, të subjektit juridik ,,LDA GROUP’’ SH.P.K, me pronar Valon Shala dhe person të autorizuar Kadri Shala kinse për punët e kryera nga ky subjekt, për Ministrinë e Infrastrukturës si Rehabilitimin e rrugëve Zhur – Dragash në vlerë prej 330 mijë e 92 euro, Prizren – Prevallë në vlerë prej 750 mijë euro, Prizren – Prevallë në vlerë prej 375 mijë euro dhe projektin Prishtinë – Mitrovicë në vlerë prej 622 mijë e 903 euro e 90 centë, punime këto që në bazë të procedurave as që i takonin “LDA group” që të kryheshin, e aq më pak të jenë kryer nga kjo kompani.
“Pra në mënyrën se si ka vepruar i pandehuri vërtetohet qartë se qëllimi i tij ka qenë maskimi i natyrës së prejardhjes së parave, kinse për punët e kryera, duke menduar me mendjelehtësi se nuk do të vije deri të zbulimi i veprës dhe kësisoj këto mjete të fituara me vepër penale do të mund të futeshin në sistemin bankarë të Kosovës si mjete të pastërta ose mjete të cilat janë fituar me kontrata të ligjshme”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.
Po ashtu, me qëllim të maskimit të natyrës, burimit dhe pronësisë së pasurisë, në arsyetim thuhet se i pandehuri Kadri Shala ka transferuar paratë e Buxhetit të Republikës së Kosovës, nëpër llogari të ndryshme në shumë të përgjithshme prej 1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë, për blerje të mallit apo pagesa borxheve, ku në disa raste kishte transferuar para pa e blerë mallin por, kishte deponuar këto mjete si avans për blerje të mallit dhe në disa raste kishte bërë transfere për kthim borxhi, pavarësisht që këto borxhe nuk arsyetoheshin në bazë të ndonjë dokumenti ligjor.
“Në një rast i pandehuri Kadri Shala përmes “LDA GROUP”, Sh.p.k, me datën 12.10.2020 në emër të donacionit për Klubin Futbollistik “Gryka e Llapushnikut” tani KF “Drenasi”, kishte transferuar mjete financiare në vlerë prej 26.000,00 euro. Gjithashtu kjo provë, ka vërtetuar faktin se shuma prej 20 mijë euro është tërhequr nga Kadri Shala”, thuhet në aktgjykim.
Të gjitha këto sipas këtij aktgjykimi, vërtetohen në bazë të provave materiale të cilat i ka siguruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e të cilat janë administruar në shqyrtimin gjyqësor e që janë transaksionet bankare të nxjerra nga bankat komerciale në Republikën e Kosovës.
Sipas këtij aktgjykimi, i pandehuri Kadri Shala po ashtu me qëllim të konvertimit të pasurisë të fituar me vepër penale, ka transferuar mjete në Republikën e Turqisë ka transferuar mjete për blerjen e mjeteve të punës për “LDA Group” dhe atë shumën prej 125 mijë euro për blerjen e makinës betonjerkë nga VEKOC MAKINA INS, si dhe shumën prej 315 mijë euro për blerjen e makinës “mixer betoni” në po të njëjtën kompani në Turqi.
Aktgjykimi po ashtu thotë se, është fare e qartë se të pandehurit konkretisht përmes Kadri Shalës kanë vepruar në shpejtësi duke transferuar dhe konvertuar pasurinë e përfituar me vepër penale duke e maskuar natyrën, burimin dhe pronësinë e parave e që ishin mjete të taksapaguesve te Republikës së Kosovës të cilat menaxhoheshin nga Thesari i Republikës së Kosovës, ashtu që janë munduar që burimin dhe natyrën e parave ta prezantojnë si të ligjshme.
“Pra ato mjete janë transferuar kinse për punë të kryera dhe më pastaj duke vepruar me shpejtësi i pandehuri Kadri ka zbrazur llogarinë e tij, duke i transferuar në llogari të ndryshme duke porositur mall, ose në formë kthimit të borxhit (disa prej të cilave duken fiktive) kësisoj ka menduar se më lehte do të humbiste gjurmët e parave të fituara me vepër penale, dhe duke zbrazur llogarinë nuk do të ishte subjekt i ndonjë hetimi eventual, dhe se në të ardhmen të gjitha këto asete te shtuara LDA Group do të mund të prezantoheshin si blerje të rregullta nga afarizmi i “suksesshëm” i biznesit të tij”, thuhet tutje në aktgjykim.
Pra, sipas gjykatës, të pandehurit janë kujdesur që në dukje të parë pa ndonjë hetim më të thellë çdo gjë të duket e ligjshme, ngase në bazë të mënyrës se si kanë vepruar, me mendjelehtësi kanë menduar se deri te zbulimi i veprës penale nuk do të vije.
Në këtë aktgjykim thuhet se, në veprimet e të pandehurve manifestohen të gjitha elementet e veprës penale në bashkëkryerje për “Shpëlarja e parave” nga neni 302 të KPRK-së lidhur me veprën penale të Pastrimit të parave nga neni 56 të Ligjit nr.05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin 31 të KPRK-së, pasi që në bashkëkryerje kanë transferuar dhe konvertuar pasurinë e fituar me vepër penale, me qëllim të maskimit të burimit në mënyrën e përshkruar si më lartë dhe këtë e kanë bërë në bashkëkryerje sepse në mes tyre ka ekzistuar lidhja objektive.
“Por ka ekzistuar edhe lidhja subjektive e cila konsiston në atë si bashkë kryesit kanë qenë të vetëdijshëm se në kryerjen e veprës penale do të marrin pjesë, duke vepruar në mënyra të ndryshme, pra kësisoj ata kanë realizuar planin e përbashkët, andaj ka ndodhë një aktivitet i përbashkët funksional në tërë zinxhirin e ngjarjes lidhur me veprën penale”, thotë tutje në aktgjykim.
Në këtë aktgjykim, ndër të tjera përshkruhet edhe “Vendimi për konfiskim”, Vendimi lidhur me kërkesën pasurore – juridike” dhe “Vendimi për shpenzimet e procedurës penale”.
Ndryshe, prokuroria dhe mbrojtja nuk kishin arritur marrëveshje për pranim të fajësisë lidhur me këtë çështje.
Në seancën e 31 tetorit, kishte filluar gjykimi rishtazi pasi që paraprakisht është bërë ndryshimi i trupit gjykues, ashtu që në vend të gjykatëses Shadije Gërguri, erdhi gjykatësja Valbona Selimi-Musliu.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala.
Në aktakuzë thuhet se Gruda, ngarkohej për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e shpëlarjes së parasë dhe financimin e terrorizmit, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.
Ndërkaq, thuhet se Shala, akuzohej për veprat penale “Shpëlarje e parasë” lidhur me nenin 56 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes se Parasë dhe Financimin e Terrorizmit, në bashkëveprim me të pandehurin Gruda, dhe “Ndihma”, në ndërlidhje me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se Labinot Gruda veprat penale që i vihen në barrë i kreu në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë menaxher i tavolinës ndihmëse për Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK) në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve-Thesari i Shtetit. Ndërsa, Kadri Shala ishte i autorizuar ligjor në kompaninë “LDA Group SHPK”.
Sipas PSRK-së, si pasojë e veprimeve inkriminuese të të pandehurve Labinot Gruda dhe Kadri Shala, buxhetit të Republikës së Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë.
“Lidhur me këtë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka kërkuar konfiskimin e katër (4) veturave, të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e PSRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Labinot Gruda më 9 tetor 2020, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët, dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e vendit të punës ka ndërhyrë në ndarjen buxhetore, dhe ka transferuar shumën prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë, në llogarinë bankare në emër të “LDA GROUP”, SH.P.K.
Sipas aktakuzës, Gruda është kyçur në SIMFK dhe ia ka shtuar userit të tij mundësinë e shtimit të klasës funksionale në sistem, me ç’rast ka regjistruar furnitorin “LDA GROUP” SH.P.K, më pastaj ka krijuar përdoruesit fiktiv përmes të cilëve ka ndërmarrë veprimet për qasje për urdhër-blerje, për pranim të mallit dhe krijim të kuponave të shpenzimit, si dhe ka ndërruar fjalëkalimin e përdoruesit ekzistues “FAZLIUF” (Fadil Fazliu), i cili kishte qasje në sistem si zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, përmes të cilit ka certifikuar kuponët e shpenzimit për operatorin “LDA GROUP” SH.P.K., me ç’rast Thesari i Kosovës sipas procedurave standarde të SIMFK-së, ka ekzekutuar pagesat në llogari të këtij operatori.
Kurse, Kadri Shala akuzohej se më 9 tetor 2020 me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit Gruda, i ka ndihmuar të njëjtit duke i dhënë në dispozicion të dhënat e plota për subjektin juridik “LDA GROUP” SH.P.K, dhe llogarinë bankare të të njëjtës, ku person i autorizuar i të cilës me kompetenca të plota është i akuzuari Shala, me ç’rast i ka mundësuar të akuzuarit Gruda që paratë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro e 90 centë t’i transferojë në mënyrë të kundërligjshme në llogarinë bankare të këtij subjekti.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Gruda dhe Shala nga 9 deri më 15 tetor 2020, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, lëvizjes ose pronësisë së parave të transferuara në mënyrë të kundërligjshme fillimisht Gruda i ka transferuar këto para në llogarinë bankare të “LDA GROUP”, e më pastaj Shala në emër të blerjes, huazimit, avansit, donacionit dhe kryerjes së obligimeve, i ka transferuar në llogari të ndryshme bankare të personave fizik dhe juridik dhe atë brenda Kosovës shumën prej 1 milion e 416 mijë e 413 euro e 64 centë dhe jashtë saj shumën prej 440 mijë euro, si dhe ka tërhequr nga banka shumën prej 221 mijë e 582 euro e 26 centë, gjoja për pagesa dhe nevoja të kompanisë. /BetimipërDrejtësi