Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin artistik në Greqi, ku historiania e artit dhe artistja pamore Liberty Polyzou, 63 vjeçe, dhe vajza e saj Tomasina Kontogiorga, 44 vjeçe, u gjetën të vdekura në banesën e përbashkët.
Trupat e dy grave u gjetën nga vëllai i artistes, i cili hyri në banesë me ndihmën e një bravandreqësi, pasi nuk kishte arritur të kontaktonte me to që nga nata e ndërrimit të viteve. Të dyja gratë ishin në shtretërit e tyre kur u zbuluan të vdekura.
Mediat greke bëjnë me dije se artistja së bashku me vajzën vuanin nga probleme serioze shëndetësore.
Liberty Polyzou, që në moshë të re kishte kryer një operacion në gjëndrat mbiveshkore dhe vuante nga hipertensioni kronik.
Ndërkohë vajza e saj i ishte nënshtruar dializës për dhjetë vitet e fundit për shkak të problemeve të veshkave dhe ishte duke pritur për një transplant.
Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se vajza ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrore dhe më pas nëna ka pësuar një infarkt fatal. Shkaku i saktë i vdekjes së tyre pritet të përcaktohet nga raporti i mjekësisë ligjore.
Liberty Polyzou ishte një figurë e njohur dhe e respektuar në artin pamor dhe historinë e artit të Greqisë.