Dy BMW, letra e Fidel Castros dhe shtëpia që Diego Armando Maradona u kishte dhuruar prindërve të tij janë në listën e gjatë të aseteve që do të dalin në ankand më 19 dhjetor.
Të ardhurat do të shkojnë për pesë fëmijët e legjendës së futbollit, të ndarë nga jeta pak më shumë se 11 muaj më parë: Diego Junior, Dalma dhe Gianinna, Jana dhe Dieguito Fernando.
Lista përfshin gjithashtu paketa aksionesh, një apartament në Mar de Plata dhe sende të tjera personale. Mallrat me vlerë sentimentale, si bluzat e dhuruara nga lojtarë të tjerë në funeralin e futbollistit, nuk do të dalin në ankand.
Gjyqtarja Susana Tedesco i ka ndezur dritën jeshile kërkesës së trashëgimtarëve. Ankandi, që do të organizohet nga Adrian Mercado, agjenci në kryeqytetin argjentinas Beunos Aires, do të jetë ndërkombëtar dhe do të transmetohet “live”.
Shtëpia e dhuruar prindërve doli në ankand për 900 mijë dollarë (780 mijë euro) ndërsa apartamenti për 65 mijë dollarë (57 mijë euro).
Njëra nga dy BMV-të mban firmën e Diegos të gdhendur në xhamin e përparmë, me një çmim fillestar prej 165 mijë dollarësh.
Gjithashtu në listë janë piktura, pulovra, këpucë, kitarë, kravata, kapele etj. Ofertat mund të dorëzohen deri më 15 nëntor.
/Gazeta Enigma/