Komuna e Skenderajt ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë, i kanë asgjësuar 300 kilogramë mish që ishte prishur.
Policia e Kosovës ka indentifikuar automjetin që po transportonte mishin.
“Në këtë rast, është ftuar Drejtoria e Inspekcionit të Komunës së Skenderajt dhe Prokuroria, që kanë ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personit të kapur në flagrancë. Sasia e mishit është asgjësuar dhe groposur sipas procedurave të kërkuara, nga Kompania “Uniteti””, thuhet në njoftim.
Pas këtij rasti, ka reaguar edhe kryetari i Komunës, Fadil Nura, i cili ka thënë se shëndeti publik dhe jeta e qytetarit, janë të shenjta.
“Dhe derisa janë të tilla, do të godasim me forcën e ligjit kudo që ka veprime të paligjshme në tregti, veçmas në rastet kur haset në shitje të gjerave ushqimore me afat të skaduar. Fal koordinimit dhe bashkëpunimit mes Komunës së Skenderajt, Policisë dhe Prokurorisë, janë identifikuar, asgjësuar dhe groposur rreth 300 kg mish”, është shprehur Nura, duke i ftuar të gjithë qytetarët të lajmërojnë Inspektoratin dhe organet tjera relevante, për çdo parregullsi apo shkelje ligjore. /Gazeta Enigma/.