Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e Auditimit të performancës të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve.
Kryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha, tha se nga 16 gjetje të Auditorit kanë arritur që t’i zbatojnë 9 prej tyre. Ai ka kërkuar mbështetje për sigurimin e serverëve të të dhënave.
“Nga 16 gjetje te Auditorit 9 i kemi trajtuar dhe përfunduar. Nuk kemi bërë progres në ndarjen e detyrave të punëtorëve. Gjatë pandemisë kemi kaluar në një format të ri”, raporton Ekonomia Online.
“Kemi paraparë që teknologjia informative të jetë një departament në vete në agjenci. Serverët janë duhet bartë në vende që të ruhen”.
Kryetarja e Komisionit, Hykmetet Bajrami tha se forcimi i kapaciteteve të këtij institucioni është tepër i nevojshëm, ngase ASK-ja ka rëndësi për mbrojtjen e të dhënave.
Bajrami ka pyetur edhe për gjetjet e Auditorit që nuk janë kompetencë e ASK-së përveç asaj të sigurimit të serverëve.
“ASK-ja është një nga agjencitë më të rëndësishme që është ndihmuar nga shumë donatorë. Forcimi i kapaciteteve është tepër i nevojshëm. Raporti i Zyrës Kombëtare është një raport i rëndësishëm pasi teknika që përdoret në ASK-ja ka rëndësi për mbrojtjen e të dhënave”.
Nënkryetarja e Komisionit Arta Bajraliu ka paraqitur të gjeturat e Auditimit, duke shtuar se ASK-ja duhet të evitojë rrezikun nga sulmet kibernetike.
“Agjencia ka arritur të realizojë projektet e parapara. Ka mungesë të vlerësimit të nevojave të teknologjisë. Nuk janë ndërmarr hapa të mjaftueshëm që të dhënat të mos ekspozohen nga palë të tjera. I gjithë procesi i punës se ASK-së dhe natyra e saj është e lidhur ngushtë me teknologjinë”.
“Përcaktimi i detyrave të punës për personelit nuk ka qenë adekuat dhe ka pasur mosarritje të qëllimeve dhe keqpërdorimeve të pozitës së punës. ASK-ja duhet të evitojë rrezikun nga sulmet kibernetike. ASK-ja duhet të ketë politika të sigurisë. Një raport thuhet se janë përdorur llogaritë personale mes punëtorëve dhe njëri ka përdorur llogarinë e tjetrit kur ka dalë nga puna. Llogaritë zyrtare nuk janë unike dhe të personalizuara”.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, pati fjalë të mira sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të Auditorit nga ASK-ja.
“Është për tu vlerësuar efikasiteti i shpejt i Agjencisë për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit. I kemi 16 te gjetura të Auditorit dhe ju thatë që 9 janë të kryera e tri në proces kur 4 tjera ju duhet mbështetje nga të tjerë”.