Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ-së, Sami Kurteshi sërish ka pasur përplasje gjatë mbledhjes së këtij komisoni anipse tashmë Valdete Daka, me të cilën kishte shumë mospajtime, nuk është në krye të KQZ-së.
Kurteshi kësaj radhe ka diskutuar me kreun e ri të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Ai insistonte se po diskuton lidhur me pikën e katërt të rendit të ditës, teksa kërkonte që të mos i ndërhynin.
“Sa për informimin tuaj të saktë asnjë mbledhje nuk e ka thirrë zonja Daka të Këshillit për marrëdhënie me jashtë sepse ka pasë arsyetime, pandemia e anej, ka qenë e zënë nuk e di cka. Unë jam duke folur zotri kryesues për pikën e katërt të rendit të ditës dhe asnjë fjalë personale nuk e thashë për livadhin e babës tim, unë po them cka është cështja. Ju lutem mos ndërhyni se unë nuk po ndërhyjë. Kur të ndërhyjë për një cështje personale, vec thuani lëshoje mbledhjen se s’kemi ardhë me i zgjidh cështjet e tua personale”, ka thënë Kurteshi.
Pas kësaj deklarate ai është parë i nervozuar duke dalë nga mbledhja.
“Krimi i organizuar ka humbë më 14 shkurt, këtu po dojnë me e mbajtë. Hajt bre allahile, mos më lodhni”, ka thënë Kurteshi duke lëshuar mbledhjen.