Asnjë i interesuar në konkurse për punë në Maqedoninë e Veriut

Asnjë i interesuar në konkurse për punë në Maqedoninë e Veriut

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, afaristët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë që të rriten kuotat, si dhe të thjeshtësohen procedurat për sigurimin e punëtorëve nga jashtë vendit. Sipas tyre, kohën e fundit ndodh që në shpalljet për punë të mos paraqitet as edhe një i interesuar.

“Nuk paraqitet askush në konkurs, madje as që pyesin se cila është paga. Thjesht, nuk ka të interesuar, mbase për të rinjtë puna në Maqedoninë e Veriut më nuk duket me interes”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vlladanka Trajanovska, kryetare e Organizatës së punëdhënësve, e cila njëherësh drejton dhe një kompani që merret me prodhimin e transformatorëve dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Ajo thekson se tashmë është evidente mungesa e fuqisë punëtore në shumë sektorë.

“Mungesa e punëtorëve më e dukshme është në sektorin e ndërtimtarisë, punëtorëve të kualifikuar si teknik mekanik. Së fundmi vërehet dhe mungesa e llogaritarëve. Sektori i biznesit përballet me mungesë serioze të punëtorëve të kualifikuar”, thotë Trajkoska.

Të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut tregojnë se në vend ka 109.249 të papunë të moshës 15 e më shumë. Prej tyre thuajse 80% janë me arsim fillor dhe të mesëm.

Pjesa më e madhe e të papunëve me arsim të mesëm, më shumë se 14.000 ose 26% jetojnë në rajonin e Shkupit, mbi 9.000 ose 17% në rajonin e Pollogut dhe mbi 7.000 apo 14% në rajonin Verilindor.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike theksojnë se të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë pritje shumë më të mëdha sesa që kompanitë mund t’u ofrojnë në fillim në përputhje me produktivitetin e angazhimit të tyre profesional.

Por, të rinjtë thonë se pagat e ulëta, mungesa e sigurisë dhe kushteve e këqija në punë, i detyrojnë ata të largohen nga vendi sesa të inkuadrohen në tregun e punës.

“Sistemi ynë arsimor nuk prodhon kuadër i cili disponon shkathtësitë që kërkohen në tregun e punës”, thotë Luka Paviceviq, duke nënvizuar se nevojiten reforma thelbësore në arsim që të rinjtë të aftësohen për punë gjatë shkollimit.

Në mungesë të kuadrit vendor, gjithnjë e më shumë rritet kërkesa për importin e forcës punëtore nga jashtë.

Nga fillimi i vitit deri më tani në Agjencinë për Punësim janë bërë më shumë se 2 mijë kërkesa nga ana e shtetasve të huaj për të marrë leje për punë në Maqedoninë e Veriut, 1.718 prej të cilave tashmë janë pajisur me këtë leje.

Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi, për mediat në fillim të korrikut ka theksuar se vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë plotësuar më shumë se 70 për qind të kuotave të rezervuara për punëtorët e huaj.

Por, Trajanovska thotë se numri i punëtorëve të importuar në Maqedoninë e Veriut është shumë i lartë pasi kompanitë, punëtorët e huaj që kryesisht angazhohen në sektorin e ndërtimtarisë i sjellin përmes kompanive, me të cilat bashkëpunojnë, pasi procedurat për marrje të lejes për punë janë shumë të komplikuara.

“Sa më shpejt duhet të korrigjohet Ligji që mundëson punësimin e shtetasve të huaj, për të thjeshtësuar proceduar për angazhimin e tyre nga kompanitë që kanë nevojë”, thotë ajo.

Nga Agjencia për Punësim e Maqedonisë së Veriut bëjnë të ditur se gjatë vitit të kaluar me leje pune janë pajisur 4.700 shtetas të huaj, kryesisht nga Turqia dhe vendet fqinje si Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Prej tyre, 799 janë drejtues të kompanive, 300 punëtorë të pakualifikuar, 268 saldues, 93 menaxherë, 78 futbollistë, si dhe profile të tjera.

Drejtori i Agjencisë për Punësim, Bekim Murati, thotë se numri më i madh i shtetasve të huaj që marrin leje qëndrimi, janë të huaj, të cilët vendosin të hapin kompani në Maqedoninë e Veriut.

“Bëhet fjalë për kompani të profileve të ndryshme, duke filluar nga sektori i Teknologjisë Informative, menaxherë biznesesh dhe shumë lëmi të tjera”, thotë Bekim Murati, drejtor i Agjencisë për Punësim.

Por nga Organizata e Punëdhënësve thonë se mbeten të befasuar për faktin që megjithëqë kompanitë vendore nuk mund të sigurojnë forcë punëtore, numri më i madh i të huajve në Maqedoni të Veriut me leje pune, janë ata që drejtojnë kompani të reja në vend.

“Qartazi duket se ata hapin kompani për të shfrytëzuar benifitet e caktuara që u ofrohen në vende”, thotë Vlladana Trajanovska.

Sektori i biznesit ngre alarmin se është koha e fundit për hartimin e një strategjie funksionale për aktivizimin e forcës punëtore të vendit dhe ndaljen e hovit të migrimit në të kundërtën shumë biznese do të jenë të detyruara të mbyllin veprimtarinë ose sigurojnë punëtorë nga vendet e largëta të lindjes.

Related Articles