Publicisti Agon Maliqi ka zbërthyer deklaratën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili bëri të qartë se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe do të formohet dhe se këtë ia ka treguar edhe kryeministrit Albin Kurti, në vizitën e tij të fundit në Prishtinë.
Madje, Escobar tregoi se nëse këtë nuk e bën Qeveria e Kosovës, atëherë do të shohin për ‘partnerët alternativë’.
Sipas Maliqit, bazuar në fjalët e diplomatit të ShBA-së, Asociacioni nuk themelohet para marrëveshjes së përgjithshme si parakusht, por deri në prill mjafton të nisin diskutimet.
Ai thotë se kjo e forcon pozicionin negociues të Kosovës në definimin e kompetencave.
” Ose filloni ta shkruani statutin e Asociacionit vetë, ose ua sjellim të gatshëm në prill duke u konsultuar me të tjerë. SHBA ofrohet të përfshihet në këtë proces. Duke i pasur parasysh qëndrimet publike, SHBA ofrohen si garantuese se statuti është brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk prodhohet një Republika Srpska”, shkroi ai në Facebook.
Shkrimi i plotë i Maliqit:
Porosia e Eskobar zbërthehet kështu:
1) Asociacioni nuk themelohet para marrëveshjes së përgjithshme si parakusht, por deri në prill mjafton të nisin diskutimet. Kjo e forcon pozicionin negociues të Kosovës në definimin e kompetencave. Serbia nuk futet në negociata me asociacion të formuar dhe me mundësinë për të kërkuar më shumë.
2) Ose filloni ta shkruani statutin e Asociacionit vetë, ose ua sjellim të gatshëm në prill duke u konsultuar me të tjerë. SHBA ofrohet të përfshihet në këtë proces. Duke i pasur parasysh qëndrimet publike, SHBA ofrohen si garantuese se statuti është brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk prodhohet një Republika Srpska.
3) Ndëshkimi eventual për Kosovën nuk është, siç mund ta interpretojnë disa, rrëzimi i qeverisë. Kosovës thjesht do t’i ofrohet një draft dhe nëse ai nuk pranohet, nuk mund të ketë marrëveshje normalizimi dhe Kosova nuk mund të llogarisë në mbështetje ndërkombëtare për NATO, BE, Këshill të Evropës. Veriu ndërkohë do të mbetet kështu siç është, eventualisht pa barrikada. Me fjalë të tjera, ose do ta pranoni draftin që ua sjellim, ose mbani përgjegjësi dhe rrini në këtë gjendjen e tanishme. Nëse vendosni me refuzu, Serbia nuk do të trajtohet si penguese e marrëveshjes por, nëse ia fut ca sanksione Rusisë, edhe mund të mbështetet në agjenden e vet integruese.
Skenari në pikën 3 është ëndrra e Vuçiq.