Atiq: Sulmi ndaj dy shqiptarëve në veri nga grupet kriminale është i papranueshëm

Atiq: Sulmi ndaj dy shqiptarëve në veri nga grupet kriminale është i papranueshëm

Kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq ka thënë se akti i dhunës ndaj dy shqiptarëve në Mitrovicën e Veriut, i shfaqur tashmë edhe përmes videos, shpërfaqë veprimet e grupeve kriminale që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve për vite me radhë.

Atiq ka shkruar në Facebook se veprimet e tilla kriminale janë të papranueshme dhe të dënueshme.

“Qyteti ynë ju përket të gjithë qytetarëve dhe asesi bandave kriminale që tentojnë ta mbajnë dhunshëm kontrollin mbi të. Qytetarëve tanë ju uroj shërim sa më të shpejtë. Pres zbardhjen e rastit nga organet kompetente dhe sjelljen e kriminelëve të tillë para drejtësisë”, shkruan Atiq.

Protestuesit serbë po kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale. Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Të hënën (29) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Related Articles