Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Shpëtim Robajn në 26-vjetorin e vrasjes së tij, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti përmes një postimi në profiline tij në Facebook për Robajn thotë se, ishte shpëtimtar i shumë jetëve, doktor i plagëve të shumë dëshmorëve dhe të plagosurve gjatë luftës në Kosovë, atje ku dhe shëroi plagë lirie, atje edhe ra nga plagët e lirisë.
“26 vjet më parë, në mes të fshatrave Likoc dhe Abri e Poshtme, më 30 shtator 1998, Shpëtim Robaj u vra nga plagët e shkaktuara nga shpërthimi i një mine të vendosur nga forcat ushtarake serbe. Ai po shkonte për t’i ndihmuar të plagosurit e mbijetuar nga masakra në Abri të Epërme, ku katër ditë më parë, forcat serbe i kishin masakruar 23 civilë shqiptarë të paarmatosur. Ai ishte bashkë me kolegë të tjerë, doktorë vendas dhe nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, mes të cilëve në atë rast u plagosën mjeku Ilir Tolaj, motra medicinale nga Zelanda e Re, Margaret Braison dhe kolegia e tyre Mirlinda Bunjaku”, ka shkruar Kurti.
“Atje ku shëroi plagë lirie, atje edhe ra nga plagët e lirisë. Lavdi doktorit hero, Shpëtim Robajt, shpëtimtarit të aq shumë jetëve që e dha jetën për lirinë e Kosovës”. /Gazeta Enigma/